LR-PDSH mbështet protestën e nesërme kundër deponisë në Tetovë

19.07.2016 10:27:20

Dje lagja ‘Dardania’ në Tetovë ka apeluar për protesta nesër para Komunës së Tetovës ku do të protestohet për deponinë e egër në dalje të Tetovës.

Lëvizja për Reforma PDSH ka njoftuar se do të mbështes protestën që mban titullin “Largo deponinë nga qyteti!”.

 ”LR-PDSH moralisht dhe simbolikisht do të mbështesë edhe protestën me moton “Largo deponinë nga qyteti!”, që do të organizohet nga lagjja “Dardania” më 20 korrik në Tetovë. Institucionet kompetente, Komuna e Tetovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, urgjentisht duhet të gjejnë zgjidhje për Deponinë e Tetovës, e cila është e vendosur në afërsi të qytetit dhe helmon çdo ditë tetovarët, duke rrezikuar jetët dhe shëndetin e fëmijëve, pleqëve, të sëmurëve kronik por edhe të tjerëve. Rikujtojmë drejtorin e ndërmarrjes së NPK Tetovë, i cili sapo vuajti dënimin e padisë që u ngrit ndaj tij, të mos vazhdojë me praktikat e vjetra të ndezjes së mbeturinave në Deponinë e qytetit, por edhe në vet kontenjerët që janë të vendosur nëpër lagjet e qytetit. Jo më larg se dje, më datë 18.07.2016, (dita e Hënë), të gjithë kontenjerët e vendosur në qendër të qytetit, konkretisht në afërsi të Gjyqit të Tetovës, sh.f “Liria”, udhëkryqi tek Komuna dhe lagje të tjera ishin ndezur mbeturinat dhe qyteti kundërmonte me erë të keqe.”