LSDM-ja akoma pa përgjigje në lidhje me kërkesat e partive shqiptare

17.01.2017 20:08:21

LSDM-ja akoma nuk është prononcuar në lidhje me kërkesat e platformës së partive shqiptare. Ata gjithashtu nuk komentojnë edhe informacionet se OBRM-PDUKM-ja dhe BDI-ja do të vendosin për të ruajtuar Qeverinë aktuale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Bllagoj Boçvarski nga LSDM-ja, sot ishte pa përgjigje konkrete rreth asaj se partia e tij a do të pranojë kushtet e partive shqiptare.

Ndërsa OBRM-PDUKM dhe partitë politike më të vogla nga blloku maqedonas, e cilësuan si të papranueshme platformën e partive shqiptare, mes të cilave janë edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe, debati mbi simbolet shtetërore, puna e PSP-së dhe kërkesa tjera.

Në ndërkohë afati për formimin e Qeverisë së re po kalon dhe mandatari Nikolla Gruevski akoma nuk ka filluar bisedimet me asnjë parti. Nga OBRM-PDUKM dhe BDI njoftojnë se bisedimet do t’i fillojnë këto ditë.