“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, sot mbrëmja e yjeve në “Air Albania”

10.01.2020 13:06:27

Luajmë dhe rindërtojmë së bashku. Është kjo iniciativa e Federatës Shqiptare të Futbollit për të mbledhur sa më shumë të ardhura për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019-të në Shqipëri. Sot në stadiumin “Air Albania” do të përballen yjet e Shqipërisë, me yjet e Italisë, Turqisë dhe Greqisë, bëhet fjalë për futbollistë të rëndësishëm që kanë qenë pjesë e këtyre 4 kombëtareve në të shkuarën.

Gjithçka do të startojë në orën 18:30, do të luhen dy gjysmëfinale nga 35 minuta secila dhe më pas finalja e madhe. Interesimi për ndeshjen e yjeve është i lartë edhe pse bileta në sektorët më të lirë të stadiumit kushton 500 lek.

Pjesë e yjeve të Shqipërisë do të jenë emra të tillë si Igli Tare, Foto Strakosha, Besnik Hasi, Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, Alban Bushi etj.

Te Italia spikasin dy kampionët e botës në vitin 2006 Gianluca Zambrotta e Simone Perrotta apo edhe Zaccardo e Chimenti, te Turqia mungon Hasan Sas, por do të jenë pjesë e kësaj sfide, Rustu Recber, Mehmet Aurelio e Hamit Altintop, ndërkohë që te Greqia diferencën pritet ta bëjnë Karagounis e Gekas. Do të jetë një spektakël i vërtetë mbrëmja e sotme në “Air Albania”, me sfidën e yjeve që do të transmetohet live edhe nga Supersport duke filluar nga ora 18:00.