Luan Rama, i pakufishmi filozof dhe poet

05.06.2018 09:59:17

Luan Rama është një poet i jetës, i kujtesës dhe i dashurisë. Një intelektual mendimtar, i cili fokusohet në çdo shijim të jetës, në çdo hidhërim e zhgënjim, në çdo gëzim, keqardhje, optimizëm dhe rënie, brenda në vendin e Shpirtit dhe të Artit, dy elemente këto nga të cilat ai merr forcë dhe qëndrueshmëri për të vazhduar ritmin e tij njerëzor e të mos dorëzohet.

Filozof në veprën e tij poetike, ai rri i mahnitur përpara gruas dhe Artit, – gruan, të cilën në kontekstin e tij e konsideron vepër arti dhe Artin vetë, që është në gjendje të vdesë, të hyjnizohet dhe ta hymnizojë gruan. Me “hapa që nxitojnë të thithin nektar dashurie… “, poeti ecën në emocionet e tij erotike poetike, ndërsa gruaja: „Në vargun (e saj) tim, harlisja (jote) tënde gjithnjë është dehëse me aromën e mollës së çarë dhe barkun e mbarsur në prag të lindjes, në vargun tim gjinjtë e tu shndrisin në dritë hëne…”

Duke kaluar në botën e artit vizual, tashmë ai lejon piktorin që t’i trajtojë pikëpamjet e tij për seksin femër dhe e predispozon atë të vëzhgojë krijimin e tij në këtë drejtim, sepse ato vetë “… janë tablo, janë vepra arti, fruta me forma njerëzore, me aromë mishi e gjaku, me linjat e një gruaje të parë diku, shkarazi, kur këputet hëna…”

Ai u referohet artistëve të mëdhenj të kohës, si Rembrand, Goja, Pikaso e shumë të tjerëve që admiron, ashtu si përtej tablosë së dukshme i admiron të modeluara si monumente pikture, ashtu si “Ura e Arteve” mbi lumin Senë, nga ku kalojnë ose takohen të dashuruarit, ndonjëherë rastësisht dhe përkohësisht, por kataliktikisht që të pikturohet në vetvete peizazhi që « … me krahë të kapur fort në ngjyrë ari që shndrisin në agun e lagësht tek përqafojnë Seine-n, përgjërime të thjeshta e të stilizuara, brava në formë zemre, me njolla të kuqe në mes, vizatime zemrash, duarsh të lidhura, buzë të përflakura, simbole të gjakut dhe të përkushtimit… » e përjetësojnë vetë dashurinë, mbi një kanavacë natyrore, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë.

Por poezia e Luan Ramës nuk ndalet vetëm në dashuri, nuk vetizolohet vetëm në himnizimin e gruas dhe bukurive të saj, për të stampuar me spatul e me fjalë, në vend të bojërave të ujit apo të vajit cilësitë femërore që i dhuroi natyra, dhe as nuk rri në territorin e artit vizual, të cilin ai e admiron dhe e shenjtëron, por me këto dy “veprimtari” të jetës së tij, kalon në histori, tek atdheu, në të përditshmen, tek heronjtë e lumenjtë, tek të njohurit e të përditshmit, admiron natyrën, ndien dhembshuri e ngazëllohet, entuziasmohet dhe preket për çdo aspekt të jetës, dhe çdonjërit i jep formë poetike me dridhje emocionesh për çdo gjë që përjeton, ndien dhe çmon.

Ai flet me respekt për frymën e pavdekshme të njeriut dhe autorëve të tij, nga Homeri deri sot, për luftërat dhe paqen, për njeriun, të ri apo plak, të dhembshur apo të bekuar, për vargjet, për legjendat dhe personazhet e kohës së shkuar të atdheut të vet.

Me një qëndrim filozofik, i cili ndihet në çdo poezi të tijën, ai përmbush mendimet, ndjenjat dhe strukturën e çdo poeme dhe na i ofron përmes një forme të çrregullt, duke hedhur poshtë shkolla dhe ligje sterile, duke e ditur shumë mirë dhe përqafuar mendimin se poezia nuk është rregull matematikor, por derdhje shpirti.

“…Vendi im është një rrëfenjë e vjetër sa bota, vendi im është dhe mbetet gjithnjë rrëfenjë që më mban të robëruar gjithnjë…“ shpall, tepër krenar për atdheun e tij dhe është i pranishëm plot ndjenjë në mjedisin familjar, duke kujtuar të tjera kohë të shkuara dhe të dhimbshme njëkohêsisht, që ai ka përjetuar dhe kanë lënë shenjë trishtimi në zemrën e tij: „… Vëllai im nesër do të shkojë me sahatin e vjetër në bagazhet e tij, dhe foton e nënës dhe të atit tonë, ca gjethe borziloku në pallton e tij. Këtë mbrëmje të fundit, pa hënë, pa erë, asgjë nuk pipëtin, penduli nuk përkundet më, thua se sahati më së fundi të ketë vdekur…“ Vlerat etike luajnë një rol të madh për poetin tonë. Dhimbja dhe fatkeqësia e të afërmit zgjojnë brenda tij ndjenja filantropike dhe drejtësie, edhe nëse ajo vjen nga i afërmi, edhe nëse vjen nga dhembshuria hyjnore.

Kështu ai vlerëson përkujdesjen e Nënë Terezës për njerëzit, e cila u kujdes për mijëra qenie njerëzore, veçanërisht në Kalkuta të Indisë, duke vazhduar edhe në anën tjetër të kësaj bote për ta ndërtuar atë, që të gjithë ta njohin atë dhe t’i luten, kështu dhe në poemën e tij “Nënë Tereza kishte uri” ku ai rrëfen: “… Luteshin gjithashtu për ty “Motër e Bengalit” Nënë Terezën me sytë për botën e të verbërve. Sari yt blu u shfaqej në rrugë Si flamur shprese e shtrojë dashurie “nuk jemi vetëm”, thoshin leprozët, “Nëna jonë po vjen me hapat e diellit”.

Qytetari i botës, poeti, braktis kufijtë e detyrueshëm, si në vargje ashtu edhe në paragjykime, si në përshtypjet e ndryshme të paracaktuara, ashtu edhe në idetë e kudogjendura dhe kudo, duke vizituar, duke jetuar, duke dashur shtetet dhe njerëzit e botës, historinë e tyre, përvojat e arritjet dhe besimet e tyre, kulturën, zakonet dhe traditat e tyre.

Homeri, Prusti, Hygoi, Botiçeli, Van Gogu, Shopeni, Shuberti, Kazanzakis, Melina Merkuri, Zorba dhe miliona krijues të tjerë të Shpirtit dhe Artit janë miq të tij, ai vetë është admirues dhe shok i tyre, pasi bashkëpunojnë në të njëjtën kohë me luftëtarë anonimë, me punëtorët, me njerëzit shumë të zakonshëm.

Përfundimisht, Luan Rama, nuk është kushdo, një filozof i rastësishëm apo imagjinativ, apo “amvonë” fetare që mundohet me shumë gjëra, por filozofi i vërtetë, sa i shpirtit po aq edhe i jetës. Megjithatë, do të ishte hiperbolike që në këtë territor t’i referohemi mantelit letrar, me të cilin mbulohet gjerësisht poezia e tij.

Kjo thjesht vetëm se lexuesi i kësaj përmbledhjeje poetike do ketë mundësinë ekskluzive të shijojë vetë nektarin e tij të nxehtë shpirtëror për aq kohë sa ai dëshiron, e madje, edhe të studiojë në afërsi të ambrozisë poetike që i ofron krijuesi e veshja e tij filozofike, e cila është autentike dhe plot dije e mendime të thella. Përktheu: Antela Spaho Voulis