Nga: Ylli Pango

Lufta brenda llojit tek ne është e paparë në pabesi e egërsi. As edhe një herë nuk mendohet minimalisht se të gjithë ne jemi forma të së njëjtës ekzistencë, specie të të njejtit lloj, të destinuar të jetojmë në të njejtin territor, që duhet ta mbrojmë atë së bashku me veten tonë, e si pjesa më e qenësishme e tij, si pjesë e saj, si një e tërë me të. Ne hami egërsisht e sistematikisht, si fillim mbi bazën e armiqësive personale, kur ka e kur nuk ka arësye të qenësishme. Po ne shkojmë edhe më tej. Ne kemi një shumllojshmëri e pasuri të paparë konfliktesh. Për tu coptuar (jo veç sipas vedit) edhe më ligjërisht, ndahemi në parti ku i nxjerrim sytë njeri tjatrit jo për ideale a bindje(hajde de), as fe e parime, por duke qenë atje veç për një dëshire e një qëllim: të përfitojmë sa më shumë. Dhe nëse e humbasim këtë mundësi duke mos qenë në pushtet e këtë mundësi e ka tjetri, urrejtja e dasia nuk ka kufi. Ne kemi p.sh konflikte partiake që për nga numri e larmia nuk kanë të krahasuar me ato të asnjë vendi tjetër. Tek ne partitë e kanë halë në sy njera tjetrën e liderët urrehen për vdekje. Konflikti e majtë- e djathtë(PS-PD), është konflikti më tradicional që ka hyrë prej kohe në „vlerat kombëtare“. (Kështu e quajnë ndonjëherë njera tjetrën partitë). Për rrjedhojë edhe konfliktin që i mban gjallë. “Po këto i ka të natyrshme dhe bota“, do thotë dikush. Natyrisht, por jo me kaq shumë larmi, antagonizëm e në një copë vend kaq të vogël ama. Për rrjedhojë, grindja nuk pushon. Dhe kjo tek ne, quhet madje demokraci e pluralizëm. Në të vërtetë mes partive tona, në mënyrë tipike, ndodh ajo që ve në dukje Curçilli:”Grindjet më të këqia shpërthejnë kur të dy palët kanë dhe nuk kanë të drejtë në të njejtin proporcion”. Partitë tona me të drejtë, nuk mund t’i mbushin mendjen, njera tjetrës, por edhe popullit, se cila ka më shumë të drejtë e cila më pak. Po si shqiptarë, ne çahemi e ndahemi edhe më tej. Me familje, ku secila mbron gjoja emrin, gjenezën, nderin, pronën(shpesh sajesë) e vet. Më tej ne kemi konflikte mes qeverive e shtetasve, të të gjithë llojeve, punonjës, pedagogë, artistë, minatorë. Jo greva, protesta, si gjithë bota. Konflikte. Më tej kemi konflikte urrejtje mes studiuesve, gazetarëve e gazetave me njera tjetrën, mes rektorëve e pedagogëve, rektorëve e dekanëve që presin tua zgjidhë konfliktin vdekje prurës(xhepa prurës), qeveria. Tek ne ka konflikte mes universiteteve private e atyre publike. Kemi konflikte mes biznesmenëve e shtetit, biznesmenëve me shoshoqin(që shkojnë deri në vrasje të njeri tjetrit), mes ortakëve, vëllezërve, familjeve, konflikte gjaku, trashëgimie, konflikte kot së koti, (nga ky lloj kemi shumë), konflikte, konflikte, konflikte. Po edhe bota i ka këto, do të thoni. Natyrisht. Po aty ka një drejtësi që zgjidh konfliktet, aty ka një llogjikë që shpesh mënjanon konfliktet, një demokraci që njeh deri ku shkon e drejta e njerit e e tjetrit. Kurse këtu në këtë copë vend konflikti të del edhe aty ku nuk ta pret mendja: Në AJëR. Si në ajër? Pikërisht. Si realizohet kjo? Ja ashtu. Ky është një reaksion i çuditshëm që bën vaki vetëm tek ne. Sapo ne arrijmë të grupohemi qoftë edhe në dy apo tre veta, diçka(djalli), hyn në ajrin mes nesh dhe menjëherë gjeneron konflikti, çarja, urrejtja për njeri tjetrin. Optika erret, dhe fytyrat e njeri tjetrit na duken të njollosura. Kështu po u bëmë ortakë, gjëja e parë që mendojmë apo dyshojmë, është se si mund të na i hedhë tjetri, e se si do ja hedhim ne atij më parë. Ndaj shumica e shqipove preferon biznes më vehte, individual, madje as me vëllanë. E veçanta tjetër është se ne urrehemi thellë,duke synuar ta dëmtojmë sa më shumë njeri tjetrin. Deri në asgjësim, deri në vdekje. Politikanët japin sidomos shembujt e modelet e mllefeve më të shkëlqyera në ekrane. Modele që ndiqen me babëzi, e stimulohen nga moderatorë që nuk mund të konceptojnë studio pa sherr. Po përse jemi kaq të pasur me këtë mineral konfliktesh. Veç të tjerash mendoj edhe sepse nuk dimë a nuk pranojmë t‘i nënshtrohemi një fuqie më madhore që është sipër nesh. Gjithkush e ka një të tillë. Cdokush në botë i falet dickaje më lart se vehtja. Një Zoti, një ligji, një të drejte. Një më të afti. Një më të dituri. Një hierarkie vlerash. T’i ndjekim, t’i dëgjojmë, të mësojmë nga dikush që është qoftë edhe pakëz sipër nesh. Sepse kudo, edhe tek ne, duan s’duan shqiptarët, ka një hierarki idealesh, vlerash, besimesh, morali, drejtësie.(Nga Libri “Psikologji Shqiptare”)