“Lufta” e ashpër për Gjakovën: Këta janë kandidatët për kryetar!

19.03.2017 20:37:43

Gara për kryetar të Komunës së Gjakovës pritet të jetë shumë e ashpër.

Derisa kanë mbetur vetëm edhe pak muaj deri në mbajtjen zgjedhjeve lokale, partitë tashmë kanë filluar përgatitjet për këto zgjedhje.

Në këtë garë deri më tani zyrtarisht e kanë pranuar se do të jenë kandidat për kryetar të Gjakovës, udhëheqësja aktuale e kësaj komunë Mimoza Kusari- Lila, dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

 

Kryetarja aktuale e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila e cila është bashkëthemeluese e Alterantivës, ka theksuar se ajo sërish do t’i hyjë garës për të parin e kësaj komune.

Në anën tjetër, edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini tash e sa kohë është duke u përgatitur për të ardhur në krye të kësaj komune, e cila për dy mandate hiqej nga partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Disa  burime bëjnë të ditur se PDK në garë do të hyjë me kreun e degës së kësaj partie në Gjakovë, Hajdar Beqa.

“Lideri i partisë është i kënaqur me Beqën, i cili ka arritur që ta rrisë partinë në këtë komunë

Hajdar Beqa është aktualisht deputet i PDK-së.

Zyrtarisht nga PDK askush nuk ka dashur të flasë në lidhje me atë se kush do të jetë kandidati i kësaj partie për Komunën e Gjakovës.

Ndërkaq, në LDK situata është më ndryshe.

Sipas disa burimeve në LDK  ka pakënaqësi të shumta dhe ende udhëheqësia e kësaj partie nuk ka arritur që ta gjejë kandidatin e duhur për garën për kryetar të kësaj partie.

As nga AKR e nga VV ende nuk kanë arritur që të gjejnë kandidatët, që do të garojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Si emër nga VV përmendet ai i deputetit, Driton Çaushi, mirëpo që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Në zgjedhjet e fundit lokale, në balotazh për kryetar të komunës kishin shkuar kandidati i AAK-së, Pal Lekaj dhe kandidatja e AKR-së, Mimoza Kusari- Lila, e cila me një diferencë të ngushtë të votave, kishte arritur që të bëhet kryetare e komunës.