Lufta speciale kundër koalicionit LDK-AKR-Alternativa shprehje e frikës nga humbja

20.05.2017 11:48:57

Nga Rexhep Kastrati

Formimi i koalicionit ndërmjet LDK-së, AKR-së dhe Alternativës, e ka tronditur tepër shumë të tri blloqet e linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, dhe ua ka futur frikën në palcë nga mundësia e humbjes së zgjedhjeve. Duke e parë këtë frikë, u bënë bashkë prontopolitika dhe haraçpolitika, pra segmentet e krimit të organizuar dhe të kapjes së shtetit. Dhe kjo frikë po shprehet edhe me një agresivitet të shtuar kundër koalicionit LDK-AKR-Alternativa, e që po shpërfaqet nëpër studiot televizive të ndryshme, të kontrolluara nga struktura mafiozo-politike. Kjo luftë speciale që po bëhet kundër koalicionit LDK-AKR-Alternativa, në fakt është në vazhdën e luftës speciale që është zhvilluar vazhdimisht kundër LDK-së, e që u dëshmua edhe me bashkimin e të gjitha partive të tjera shqiptare me serbë dhe me pakica të tjera kundër Qeverisë së drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa. Pra, kjo luftë speciale, edhe pse ka prëfshirë edhe AKR-në dhe Alternativën nuk ka të bëjë me to, por me faktin se ato kanë pranuar të hyjnë në kaolicion me LDK-në.

Pas trysnive të ndryshme nëpërmjet emisarëve të  ndryshëm për të penguar këtë koalicion, tashmë po sulmohet pikërisht për shkak të frikës që i ka kapur nga mundësia që ky koalicion të dalë koalicion fitues. Po të kishte bërë koalicion me PDK-në apo me AAK-në, apo me sektën okulte të Albinit, asgjë nga ato që po thuhen për Behxhet Pacollin nuk do të ishte thënë, ashtu siç nuk ishte thënë as kur Hashim Thaçi ishte kryeministër në një Qeveri të PDK-së me AKR-në dhe pakicat.

Në fakt, koalicioni PDK – AKR me pakicat, dhe lufta speciale aktuale po dëshmojnë atë që është veçori e hershme e tyre: kush është me mua është miku im, kush nuk është me mua është armiku im!.

Kurse fushata kundër kryeministrit Mustafa, i cili sa herë i është dhënë mundësia ka punuar për interesat e vendit, pra si ekonomist, si ligjërues, si ministër i Financave, si kryetar i Prishtinës, si kryetar i opozitës dhe si kryeministër i vendit. Rimarrja e të njëjtave akuza kundër kryeminiatrit Mustafa, në fakt përveçse tregon se nuk kanë argumente kundër tij, po ashtu, duan të eklipsojnë sukseset e Qeverisë së drejtuar nga ai për një gjysëm mandati, kur edhe janë arritur sukseset më të mëdha në vend. Modeli qeversës i kryeministrit Mustafa ka rrëzuar për tokë modelin e prontopolitikës dhe të haraçpolitikës dhe kjo është vërejtur nga të gjithë. Dhe tashmë në garë janë dy modele: modeli i konsolidimit të shtetit, të zhvillimit ekonomik  dhe të forcimit të aleancës me demokracitë perëndimore, dhe modelit të prontopolitikës, haraçpolitikës dhe bashkimit rreth mbrojtjes së vetes nga akuzat eventuale nga Gjykata speciale. Pra në njërën anë është koalicioni për vendin, në anën tjetër, koalicioni kundër vendit, koalicioni kundërvënies ndaj drejtësisë, ndaj çkapjes së shtetit dhe ndaj ruajtjes së monopoleve kriminale-ekonomike.

Prontopolitikën, haraçpolitikën, por edhe molotovpolitikën i ka goditu fort edhe uniteti brenda LDK-së, veprimet prej burrështetasi të kryeministrit Mustafa, i cili ka vënë në zbatim vendimin e tij për të mos qenë kandidat për kryeministër, madje as në listën për kuvendarë të partisë që drejton. Në kontekstin socio-politik të Kosovës, ky rast është një zhvillim cilësor në pilitikëbërjen dhe anagzhimet politiko-institucionale. Edhe pse do t’i mungojë Kuvendit, megjithatë kryeminsitri Mustafa ka vlerësuar se duhet të mjaftohet me drejtimin politik të partisë, kurse në Kuvend të jenë të tjerë që do ta përfaqësojnë atë. Nominimi i ministrit Hoti si kandidat për kryeministër të Kosovës, një ekonomist i suksesshëm dhe një ministër që arriti të realizojë reforma të shumta fiskale, zhvillimore etj., dhe që ka një autoritet të padiskutueshëm si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, gjithsesi ka tronditur prontopolitikën dhe haraçpolitikën, sepse e dinë se të dalësh përballë tij dhe të kërkosh votën e qytetarëve është marre dhe faqja e zezë.

Dhe si zakonisht në pamundësi për të qenë alternativë për vendin në raport me LDK-në, prontopolitika, haraçpolitika dhe molotovpolitika kanë zgjedhë vazhdimisht luftën speciale kundër saj bazuar në shpifje, përbaltje etj., duke luajtur me emocionet e qytetarëve. Prandaj, edhe me këtë rast, pra me rastin e krijimit të koalicionit me AKR-në dhe me Alternativën, vetëm sa po vazhdohet me tmerr dhe me arrogancë e njëjta fushatë e zhvilluar kundër LDK-së gjatë tërë këtyre viteve.