Lufta tregtare, Kina e shqetësuar për kufizimet në BE

18.09.2017 15:15:41

Kina shprehet e shqetësuar nga propozimi i kreut të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për të kufizuar aftësitë e vendit komunist lidhur me blerjen e kompanive europiane në infrastrukturë, ato “high tech” dhe industrinë energjetike.

“Mbyllja e derës nuk lejon arritjen e një zhvillimi afatgjatë. Praktikimi i proteksionizmit tregtar dhe atij të investimeve për interesa afatshkurtra, duke e parë këtë në këndvështrimin afatgjatë të çështjes, do të bëjnë që humbjet ta kapërcejnë fitimin”, tha Lu Kang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Në ekuivalentin e fjalimit të presidentit amerikan drejtuar kombit, javën e kaluar Juncker foli përpara Parlamentit Europian, ku paraqiti propozimet e tij për një kornizë shqyrtuese të investimeve. Qëllimi i saj është t’iu ofrohen anëtarëve të BE-së mekanizmat e nevojshëm për të ndërhyrë, në rastet e investimeve të huaja direkte në asete strategjike, veçanërisht nëse ato ndërmerren nga sipërmarrje të kontrolluara apo financuara nga shteti.

Pekini nuk e përtypi mirë një plan të tillë.

“Shpresojmë që Bashkimi Europian, kur miraton masat t’i bindet parimit të Organizatës Botërore të Tregtisë, sidomos atyre jodiskriminuese, në mënyrë që të shmangë dërgimin e informacionit të gabuar, përshtjellues dhe negativ jashtë kufijve të tij”, deklaroi më tej Lu Kang.

Blerja vitin e kaluar e firmës gjermane të robotikës, “Kuka”, nga kompania kineze “Midea”, ngriti shqetësimin se Pekini po fiton qasje të madhe në teknologjitë kyçe, ndërsa kompanitë e veta ndërkohë i mbron nga blerjet e huaja.