Lugina, reciprociteti dhe korrigjimi i kufijve

30.08.2018 09:32:25

Nga Sevdail Hyseni

Po qe se serbët e veriut të Kosovës, do të rreshtohen përkrah idesë së presidentit Vuçiq, për ridefinim, korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në prag të finalizimit të bisedimeve të Brukselit, do të ishte absurde, jo logjike, madje edhe cinike, që liderët partiakë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të kundërshtonin idenë e presidentit Thaçi, për korrigjim të kufijve në favor të bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ka qenë gjatë historisë.
Nëse ndonjërit prej politikanëve të Luginës së Preshevës, i ka ikur truri, apo ia ka pirë sorra mendtë, le të kujtoj Deklaratën e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të miratuar, më 14 korrik 2018, në të cilën thuhet saktë: “Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkon: nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë”.
Prandaj, uniteti i spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës, duhet të reflektoj pozitivitet, pikërisht në këto moment vendimtare, që do të merren me finalizimin e procesit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Përvoja e hidhur nga e kaluara, na ka mësuar se ndasitë, përçarjet, zënkat, janë të dëmshme si plasaritjet në mur. Nuk thuhet kot “Edhe lisi mbështet në lis, që të mbrohet nga stuhinë!”, apo jo?
Kështu që, Lugina e Preshevës, ka nevojë për një përkujdesje institucionale të faktorëve relevantë të Tiranës dhe Prishtinë, në favor të zgjidhjes së statusit të saj politik e jo të shërbehet si monedhë për kusuritje, apo si një pretekst për qërim hesapesh mes opozitës dhe pozitës shqiptare, gjithandej…