Lulzim Basha: Dyfishohet përmbytja në Shkodër, Rama të shpallë gjendjen e emergjencës

21.03.2018 10:17:29

Situata nga përmbytjet në Shkodër duket se ka shqetësuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka reaguar në Facebook duke thënë se uji po avancon, ndërsa dhjetëra banorë janë evakuuar, Basha bën fajtore qeverinë dhe hapjen e portave të Hidrocentraleve për gjendjen në të cilën ndodhet kryeqendra e Veriut.

“Gjendja në Shkodër po përkeqësohet nga ora në orë. Qindra familje janë të izoluara nga uji. Dhjetëra prej tyre janë evakuuar vetëm orët e fundit. Shkarkimet e ujit nga KESH vazhdojnë në nivele të larta. Sipërfaqja e përmbytur është dyfishuar brenda dy ditësh”, shkruan Basha.

 

Në postimin, që e shoqëron me foto nga zonat e përmbytura, kryedemokrati “i bën thirrje shtabit të emergjencës t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë shpalljen e emergjencës” në Shkodër dhe e cilëson kriminale sjelljen e deritanishme të kryeministrit Rama.

“Deri tani kryeministri dhe vartësit e tij kanë injoruar kërkesën e përsëritur të kryetares së Bashkisë, këshillit bashkiak, kryetares së Qarkut dhe deputetëve demokratë, për të shpallur emergjencën. Në këto kushte kjo nuk është vetëm e papërgjegjshme por KRIMINALE”, shprehet kreu i opozitës.
Në përfundim ai nënvizon se “çdo orë e humbur rrezikon jetë njerëzish dhe mund të sjellë pasoja të pariparueshme”. “Paralajmëroj çdo zyrtar që refuzon të marrë përgjegjësitë, se do të përballet me pasojat më të forta ligjore dhe penale”, thekson Basha.