Lulzim Basha i shpreh shqetësimin e tij bashkëshortes së Ramush Haradinajt

06.01.2017 23:07:31

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë telefonike me bashkëshorten e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dy ditë më parë u arrestua në Francë.

Basha shprehet se i ka kërkuar qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhër arresteve ndërkombëtare për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Sonte në mbrëmje bisedova me Anita Haradinajn, bashkeshorten e Ramushit. I shpreha shqetësimin dhe revoltën time për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen time të plotë personale dhe politike. Jam i bindur se sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake.

Anita më tha se Ramushi është plot kurajo, dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës. I bëj thirrje Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt, dhe të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhërarresteve ndërkombëtarë të Serbise ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që luftuan kundër regjimit vrasës të Milosheviçit. Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, u shpreh Basha.