Lulzim Basha: Revolta e Qafë Barit, shembull guximi për protestën e të shtunës

22.05.2018 14:52:06
PROTESTA E OPOZITES - Kryetari i PD Lulzim Basha, duke folur gjate nje proteste te organizuar nga Partia Demokratike para Parlamentit, ku kane kerkuar doreheqjen e Kryeministrit Edi Rama, pas ngjarjes se Divjakes, ku u bllokua nje avion qe do transportonte droge.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përkujtuar revoltën e Qafë Barit, 11 pas asaj të Spaçit, ku të dënuarit politikë ngritën krye dhe për kryedemokratin këto janë akte heroike në shembullin e të cilëve do të organizohet protesta e 26 majit.

“11 vite pas kryengritjes së Spaçit që ngjalli shpresë dhe i dha kurajo njerëzve, një tjetër akt heroik në një tjetër burg famëkeq ndodhi Revolta e Qafe Barit.

Të dënuarit politikë ngritën krye ndaj shtypësve të tyre. Falë kurajos së tyre mbinjerëzore në Qafën e Barit, si sot 34 vjet më parë u fitua për disa orë liria, për disa orë ra sistemi gjakatar komunist.

Burrat që kryen këto akte heroike, janë frymëzim njerëzor dhe atdhetar. Ata kërkuan lirinë, ata u ngritën kundër padrejtësisë brenda burgjeve mizore.

Në shembullin e guximit të tyre të pashoq, do të bashkohen të shtunën shumica e shqiptarëve që e duan vendin pa krim, pa drogë, pa ministra të lidhur drejtpërdrejt me bandat, pa një kryeministër që mbron hapur të keqen.

Me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë, ju ftoj të bashkohemi të shtunen më 26 maj, në oren 11.00 në Tiranë, të gjithë bashkë në protestën kombëtare ngrihemi kundër padrejtësisë, kundër qeverisë së lidhur me krimin, për Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Basha.