Lulzim Basha: Shqiptarët folën, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa opozitën

14.05.2017 22:14:35

Pas komunikimit javor të kryeministrit Edi Rama, ka reaguar kreu demokrat Lulzim Basha. Ai shkruan në Facebook se nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Basha bën thirrje për të çmontuar krimin në pushtet dhe sipas tij t’u kthehet pushteti qytetarëve përmes qeverisë teknike.

“Shqiptarët folën. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste. Nuk do të ketë kurrë më një diktaturë moniste që emëron edhe opozitën fasadë.

Ne kishim dy zgjedhje përpara. Zgjedhja e parë ishte të ulnim kokën e të pranonim fatin tonë si skllevër të republikës së vjetër të krimit, të drogës e të oligarkëve, të pranonim republikën e vjetër ku i gjithë pushteti politik dhe ekonomik kontrollohet nga pak njerëz që shtypin çdo të drejtë dhe mundësi të shumicës së shqiptarëve. Përgjigjen për këtë, shqiptarët e dhanë dje me bashkimin e tyre më të madh kur njëzëri thanë: Kurrë!

Zgjedhja e dytë është në dorën e republikës së vjetër. Të çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e t’u kthejmë pushtetin qytetarëve përmes qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme ose të përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit dhe qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së Re.

Në njërën apo tjetrën mënyrë, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet, republika e vjetër do të përmbyset. Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkruan Basha.