Lulzim Basha uron Kurtin dhe Osmanin: Zgjedhje model në Kosovë

15.02.2021 18:29:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu sot uroi për fitoren Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, duke i konsideruar zgjedhjet në Kosovë, model me standarte europiane.

Ai tha se kur të vijë në pushtet më 25 prill do të bashkëpunojë fuqishëm me qeverinë e re në Kosovë.

Kreu i PD akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama se nuk ka mbajtur asnjë premtim të dhënë në këto 8 vite dhe meriton të largohet.

“I uroj fitoren dhe të bëjnë gjithçka në përmbushjen me sukses të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës dhe të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të pandalshëm drejt Europës. Unë dhe PD do jemi në krahun e tyre për të bashkëpunuar sa më fuqishëm në projektet të përbashkështa për zhvillimin e ekonomisë. Zgjedhje model me standarte europiane.

Janë dhjetëra premtime që Rama ka bërë dhe nuk i ka mbajtur. Një kryeministër që nuk mban premtimet nuk ka të drejtën morale të kërkojë mandat tjetër. Në 8 vite s’ka mbajtur asnjë premtim të vetëm kur i ka pasur të gjitha pushtet, asnjë përparim, shqiptarët kanë ngecur në vend numëro. Shqiptarët janë sot më të varfër, kanë më pak para për të shpenzuar. Ndërkohë gjitha vendet rreth nesh kanë bërë progres. Përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Tani bën veç propagandë. Me 25 prill, Rama humb, Shqipëria fiton,” tha Basha.