Lulzim Basha zotohet nga Kosova: Sapo të zgjidhem kryeministër do heq taksën e rrugës së Kombit

20.07.2020 12:14:16

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi nga Kosova se vendimi I parë si kryeministër do të jetë heqja e taksës në Rrugën e Kombit.

Deklaratën kryedemokrati e bëri gjatë konferencës live me kryeministrin Avdullah Hoti. Basha tha se Prishtina është qyteti i tij i dytë jo vetëm pasi ka jetuar për 4 vite aty, por edhe sepse është shpallur qytetar nderi. Ai vlerësoi paketën e masave të qeverisë së Kosovës në situatën e pandemisë, gjithashtu dha mbështetjen e tij të plotë në bisedimet me Serbinë.

“Pata një bashkëbisedim vëllazëror më Avdullah Hotin. Një nga vendimet e para si kryeministër i zgjedhur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë heqja e taksës dhe e traut në rrugën e Kombit. Në PD do të gjeni gjithmonë mbështetje.”, tha Kryedemokrati.

Kryetari i PD ndodhet në Kosovë për një vizitë dyditore ku do të takojë përfaqësuesit kryesor të shtetit dhe partive.

Agjenda e Bashës në vizitën dy ditore në Kosovë:

-Ora 11:00, Takim me Kryeministrin Avdullah Hoti, Vendi: Kryeministria

-Ora 12:00, Takim me Presidentin Hashim Thaçi Vendi: Presidencë

-Ora 13:00, Takim/drekë pune me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin

-Ora 15:00, Takim me Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit

-Ora 16.00, Takim me Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK, Vendi:  Selia e AAK

-Ora 17.00, Takim me Fatmir Limaj, Kryetari i Partisë Nisma për Kosovën, Vendi: Selia e Nismës

-Ora 17:45, Takim me drejtuesit e LDK-së, VENDI: Selia e LDK

Ora 18:30, Takim me drejtuesit e PDK-së, Vendi:  Selia e PDK