Aleksandër Lumezi dhe ambasadori i Francës flasin për sistemin prokurorial në Kosovë

30.03.2017 13:38:05

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në një takim pune, ambasadoren e Francës në Prishtinë, Didier Chabert.

Kryeprokurori Lumezi e njoftoi ambasadorin Chabert me efikasitetin e sistemit prokurorial, duke theksuar se prokurorët  e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të ndërgjegjshëm për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial, duke  shpresuar se në këtë drejtim do të vazhdoi përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët tashmë është ndërtuar bashkëpunim i mirëfilltë në realizimin e obligimeve ligjore.

Kreu i Prokurorit të Shtetit, potencoi  se është i përkushtuar në rritjen e efikasitetit në gjithë sistemin prokurorial, në luftën sa më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe veprave tjera penale, duke shtuar se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës.

Kryeprokurori Lumezi theksoi se ka kërkuar nga prokurorët rritje të efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit në lëndët e shënjestruara për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Mes tjerash, gjatë këtij takimi është biseduar edhe për bashkëpunimin në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftën kundër kriminalitetit, e me theks të veçantë në parandalimin e korrupsionit. Konkretisht është potencuar bashkëpunimi i mirë në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

Ndërkaq, ambasadori Chabert, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Franca mund të kontribuojnë, me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi.

Konkretisht ambasadori Chabert ofroi ndihmë nga Ambasada e Francës në Prishtinë në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve, duke i trajnuar ata në fusha të ndryshme.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi duke vlerësuar lart mbështetjen e shtetit francez për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial falënderoi ambasadorin e Francës, Didier Chabert për mbështetjen e tij që po i jep vendi i tij sistemit prokurorial të Kosovës dhe theksoi vendosmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit, duke dhënë rezultate në zbulimin dhe hetimin e veprave penale.