Lutfi Haziri themelon Ekipin ndërsektorial të Gjilanit si masë preventive kundër Coronavirusit​

12.03.2020 11:39:11

Në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës për ndërmarrjen e masave preventive ndaj Coronavirusit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka themeluar ekipin ndërsektorial për menaxhimin e kësaj situate.

Haziri theksoi se Ekipi ndërsektorial do të merren me parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

“Jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me Spitalin Regjional, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, policinë dhe të gjitha institucionet tjera relevante”, ka thënë Haziri.

Kryesues i ekipit është drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, i ndihmuar nga drejtorët komunalë: Valbona Tahiri, Ramiz Ramadani, Nazim Gagica, Bardhyl Syla, Deniza Limani dhe Sami Spahiu, të cilët janë 24 orë në dispozicion të qytetarëve.

“Ju lutem, mos shkaktoni kurrfarë panike. Jemi bashkë në përballimin e kësaj situate, duke qenë të organizuar dhe të disiplinuar. Me ndihmën e Zotit dhe ndihmën tuaj, do ta përballojmë këtë situatë”, ka theksuar Haziri.

Ai ka njoftuar se të gjitha tubimet publike dhe aktivitet kulturore e sportive dhe aktivitet e prokurimit janë ndërprerë deri më 27 mars, derisa kërkuar nga qytetarët që mundësisht shërbimet administrative t’i marrin përmes aplikimit online, e cila është formë shumë efikase.

Kryesuesi i ekipit, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka deklaruar se do të dezinfektohen objektet e institucioneve komunale ku ofrohen shërbime, si dhe të gjitha objektet shëndetësore.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë mbështetje më të madhe në furnizim me mjetet mbrojtëse, sidomos për personelin shëndetësor.