Lutja për Krishtlindje: Papa Françesku kërkon paqe në Jeruzalem dhe në botë

26.12.2017 09:54:59

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku ka kërkuar negociata të reja paqësore në lindjen e mesme. Në lutjen tradicionale për Krishtlindje, Ati i Shenjtë kërkoi që problemet të zgjidhen me mjete paqësore

Papa Françesku bëri thirrje për paqe në Jerusalem dhe “besim të ndërsjellë” në gadishullin Korean në fjalimin e tij tradicional të Krishtlindjeve “Urbi et Orbi” nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit. Papa Françesku foli për “tensionet në rritje mes izraelitëve dhe palestinezëve”, duke shprehur shpresën se “vullneti për të rifilluar dialogun mund të mbizotërojë mes palëve dhe që në fund të arrihet një zgjidhje e negociuar, e cila do të lejonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve”. Palestinezët u zemëruan me vendimin e Presidentit Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. “Ne lutemi që më në fund të arrihet n jë zgjidhje me negociata, e cila do të mundësonte koegzistencën e përbashkët dhe njohjen ndërkombëtare të kufijve mes dy shteteve”, theksoi Papa në lutjen tradicionale ‘Urbi et Orbi’ në sheshin qendror në Vatikan, ku ishin mbledhur me dhjetëra mijëra besimtarë. Presidenti Trump e ka njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit që ka shkaktuar reagime të shumta negative në mbarë botën. Vendimi i tij nuk është mbështetur me shumicë në Asamblenë e OKB-së, e cila ka hedhur poshtë një rezolutë për njohjen e këtij qyteti t ndarë si kryeqytet i Izraelit. Papa në mesazhin e tij ka mbështetu përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje e cila do të siguronte drejtësi dhe siguri për të gjithë”.

Rreziku nga lufta në Korenë e Veriut

Sa i përket krizës së fundit në Korenë e Veriut, për shkak të programit të saj bërthamor, Papa Françesku ka kërkuar që tendosjet të tejkalohen me marrëveshje. Për marrëveshje nevojitet mirëbesim, sepse zgjidhja paqësore është në interesin  e mbarë botës, paralajmëroi Papa. Muajt e fundit janë shtuar në veçanti tendosjet mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së për shkak të testimit të raketave bërthamore.

Rrënimi i vlerave

“Në kohën e gërmadhave të luftërave dhe koncepteve të tejkaluara të zhvillimit, në kohën kur kemi një rënie njerëzore, dallime të mëdha sociale dhe shkatërrime të mjedisit. Koha e Krishtlindjeve është koha kur duhet t’u kthehemi vlerave të Krishtit’, tha Papa. Gjatë Meshës së Krishtlindjes, të dielën, ku morën pjesë rreth 10,000 njerëz brenda dhe jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit, Françesku mbrojti me forcë emigrantët, duke i krahasuar ata me Marinë dhe Jozefin që nuk gjetën vend për të qëndruar në Bethlehem, duke thënë se besimi kërkon që të përkrahen të huajt dhe duke bërë thirrje për një “imagjinatë të re sociale”. Papa u bëri thirrje më shumë se 1.2 miliardë katolikëve në botë që të mos e injorojnë gjendjen e imigrantëve të cilët “ikin nga toka e tyre” për shkak të vullnetit të udhëheqësve për të derdhur “gjakun e pafajshëm”.