LVV kundërshton formimin e Qeverisë së re, protestat po bëhen të pashmangshme

02.06.2020 20:47:34

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se në mbledhje u kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti.

“U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm.U vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, thuhet në njoftim.

LVV thekson se po ashtu në mbledhje u kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër.

“Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë”.

LVV pohon se protestat po bëhen të pashmangshme. Megjithatë kjo parti njofton se nesër ( e mërkurë) nuk do të organizojë protestë.

“Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Ndryshe, seanca për votimin e Qeverisë do të mbahet nesër duke filluar nga ora 11:00.