Makina del nga rruga dhe përplaset me murin, vdes 45-vjeçarja

31.07.2016 15:48:57

Një grua 45-vjeçare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur, si pasojë e një aksidenti në Gjirokastër. Sipas policisë, makina tip “Renault” me targa :AA 029 DM: është përplasur me murin rrethues të një lokali, në fshatin Sofratikë në Gjirokastër.

Për pasojë ka humbur jetën 45-vjeçarja me inicialet T. Xh., dhe janë plagosur bashkëshorti i saj E. Xh., i cili drejtonte makinën, dhe vajza 17-vjeçare e çiftit S. Xh.

Policia ka bërë të ditur se është plagosur edhe pasagjeri tjetër me inicialet K. L., i cili rezulton të jetë një i afërm i familjes së aksidentuar.

Mësohet se të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin rajonal, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e 17-vjeçares është e rëndë.

Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen.