Mali i Zi e quan të përfunduar çështjen e demarkacionit me Kosovën

03.08.2016 23:37:31

Marrëveshja me të cilën është konfirmuar kufiri ndërshtetëror i Malit të Zi dhe i Kosovës është përfundimtare, ka deklaruar shefi i Drejtorisë për çështje kufitare të Malit të Zi Milan Paunoviq.

Ai për televizionin e Malit të Zi ka thënë se kufizimi ka përfunduar dhe se parlamenti i Kosovës Marrëveshjen do ta ratifikojë në gusht.

Paunoviq është optimist edhe për shkak se në Kuvendin e Kosovës, siç ka thënë, janë përsëritur qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për kufizim e që janë në anën e marrëveshjes së arritur.

Sipas fjalëve të tij, komisioni malazezo-kosovar i ka kaluar tri vjet në tavolinë dhe nuk është marrë me vizatim të kufijve të rinj, “por e ka precizuar kufirin e mëhershëm administrativ ndërmjet Malit të Zi e Kosovës”.

Paunoviq ka thënë se edhe Komisioni ka konstatuar se nuk ka asnjë çështje të pa definuar që ka të bëjë me kufizimin e Malit të Zi dhe Kosovës.