Mali i Zi i kërkon ndihmë Moskës për të hetuar grushtin e shtetit

03.03.2017 21:44:16

Mali i Zi ka mirëpritur një njoftim sipas të cilit prokurorët rusë po shqyrtonin kërkesën e Podgoricës për ndihmë në investigimin e grushtit të shtetit që autoritetet malazeze thonë se ndodhi në tetorin e shkuar.

Ministri malazez i Drejtësisë, Zoran Pazin, tha të premten se Mali i Zi i kishte kërkuar Moskës të lejonte prokurorin special të shqyrtonte dy shtetas rusë të dyshuar se kanë luajtur një rol kryesor në grushtin e shtetit, që autoritetet pretendojnë se ndodhi tetorin e kaluar.

I pyetur nëse prokurori special, Milivoje Katniq, do të udhëtojë në Rusi për të marrë në pyetje Vladimir Popovin dhe Eduard Shishmakovin, të cilët janë të dyshuarit e organizimit të grushtit të shtetit në ditën e zgjedhjeve më 16 tetor, ministri tha se nuk kishte ardhur ende ndonjë ftesë zyrtare.

“Si ministër dhe zv.kryeministër, pres këtë lloj bashkëpunimi me Rusinë. Nga ana jonë, zyra e prokurorit special ka dërguar kërkesë për ndihmë ligjore ndërkombëtare, ka kërkuar një seancë pyetjeje me Shishmakov dhe Popov në prani të kryeprokurorit tonë dhe partnerëve të tij”, tha Pazin.

Ai shtoi se Mali i Zi ka marrë konfirmimin për vërtetësinë e pasaportave të Shimakovit dhe Popovit nga zyra e Interpolit në Moskë.

Të enjten, prokuroria ruse tha se ishte duke shqyrtuar kërkesën e Malit të Zi për asistencë në hetim.

Por, Moska hodhi sërish poshtë akuzat se agjencitë ruse ushtarake dhe ato të sigurisë janë përfshirë në planin për të përmbysur qeverinë dhe për vrasjen e ish-kryeministrit Milo Gjukanoviq.

Më 16 shkurt kryeprokurori malazez Milivoje Katniç tha se shteti rus orkestroi një përpjekje për grusht shteti më 16 tetor në Malin e Zi në përpjekje për të ndaluar vendin ballkanas të anëtarësohet në NATO.

Më 18 nëntor, Prokuroria Speciale publikoi emrat e dy rusëve – Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov – të akuzuar për organizimin e komplotit.

“Në vitin 2014, Shishmakov ishte zv. atashe ushtarak në ambasadën ruse në Poloni, por u përjashtua pas spiunazhit për Rusinë,” shpjegoi Katniq.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi të enjten se një zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në një konferencë për shtyp se pretendimet për përfshirjen ruse ishin jashtë logjikës.

Opozita malazeze që kundërshton NATO-n ka vazhduar të pretendojë se qeveria pro-perëndimore e drejtuar më parë nga Gjukanoviq e ka sajuar grushtin e shtetit për ta diskredituar atë.