Mali i Zi kremton Ditën e Shtetësisë

13.07.2017 12:22:29
Mali i Zi sot kremton Ditën e Shtetësisë, në shenjë përkujtimi të 13 korrikut të vitit 1878, atëherë kur në kongresin e Berlinit u njoh si shtet i pavarur, dhe datën e njëjtë të vitit 1941 atëherë kur populli i Malit të Zi u ngrit në kryengritje kundër fashizmit.

Me rastin e Ditës së Shtetësisë, presidenti i vendit, Filip Vujanoviç, mbrëmë organizoi një pritje për mysafirë, para të cilëve tha se viti 2017 do të mbetet i shënuar në historinë e Malit të Zi.

“Në vazhdën e viteve historike të Malit të Zi, edhe ky vit padyshim se do të ketë vend të merituar në historinë tonë. Në shtetin i cili njihet për luftën shumëshekullore për liri dhe pavarësi, vitet e arritjes së këtij synimi janë vlerë e përhershme”, tha Vujanoviç, raporton AA.

Që të mos përsëritet historia, tha më tej Vujanoviç, Mali i Zi duhet të ketë një aleancë që do të garantojë stabilitet dhe përjetësinë. “Këtë aleancë Mali i Zi e ka marrë këtë vit me anëtarësimin në NATO”, tha Vujanoviç.