Manchester United zgjedh pasuesin e Mourinhos, është një norvegjez

19.12.2018 13:45:46

Mungon ende zyrtarizimi por edhe ai do të vijë në orët në vazhdim. Te Manchester United kanë vendosur, do të jetë norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer, pasuesi i Jose Mourinhos në stolin e Djajve të Kuq.

45-vjeçari skandinav i cili aktualisht është trajneri i Moldes në kampionatin norvegjez që prej vitit 2015-të, do të zyrtarizohet si trajneri i përkohshëm i 20-herë kampionëve të Anglisë deri në fund të këtij sezoni, ndërsa në verë drejtimin e skuadrës pritet ta marrë një emër shumë i njohur ky dy favoritët kryesorë për stolin e United janë Zidane e Pochettino.

Por nëse Solskjaer do të bëjë ndonjë mrekulli në këtë sezon atëherë nuk i dihet. Në ishull tifozët United e duan norvegjezin pasi e kujtojnë gjithmonë me atë gol që realizoi ndaj Bayern Munich në finalen e Champions League të vitit 1999 të fituar me përmbysje në 3 minutat e fundit nga Djajtë e Kuq. Karrierën si trajner Solskjaer e ka nisur pikërisht te skuadra rezervë e Manchester United të cilën e ka drejtuar nga 2008-ta deri në 2011-ën, ndërsa ai ka një eksperiencë të shkurtër në Premier League me Cardiff City-in në vitin 2014-të, sezon në të cilin nuk arriti të mbante dot skuadrën uellsiane në Premier League.