Manipulimi me emrin e Avdullah Hotit, vazhdimësi e luftës speciale kundër LDK-së/Përvoja ime me një luftë të tillë

Nga Rexhep Kastrati

Kuzhina jopërkatëse për prodhimin e akuzave dhe përbaltjeve si pjesë e luftës speciale kundër LDK-së, po vazhdon me metoda të njëjta sikurse që nga kohë e luftës e këndej. Duke e njerë seriozisht frikën e humbjes, gjithnjë e më shumë po fuqizohet lufta speciale dhe po bëhet më e marrë dhe më agresive në raport me LDK-në, koalicionin e saj me AKR-në dhe me Altrenativën dhe kundër kandidatit të tyre për kryeministër Avdullah Hoti. Dhe përveç luftës speciale, spekulative dhe shpifarake e përbaltëse, të gjertanishme, kjo makineri jopërkatëse për prodhimin e akuzave dhe përbaltjeve të ndryshme, ka dalë me manipulimin se gjoja kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti paska qenë në partinë e Bujar Bukoshit! Me këtë lloj shpifje, kjo makineri ka mbetur po ajo që ka qenë që nga koha e presidentit Rugova e këndej, dhe këtë mund ta ilustroj me një rast të ngjashëm që ka të bëjë me mua. Makineria jopëkatëse për prodhimin e akuzave dhe përbaltjeve, që edhe atëherë, edhe tash, po del ashiqare se kë përfaqëson dhe çfarë qëllime ka, në vitin 2001 kishte bërë një nga shpifjet e radhës, sipas të cilave UDB-ja me dekada më kishte çuar në mërgatë për ta përçarë atë, por pasi që paskësha dështuar më kishte prurë në “Bota sot”! Ngaqë nuk ia vija veshin dhe ngaqë shpifjet, përbaltjet dhe lufta speciale ishte bërë e zakonshme kundër meje, nuk e mora parasysh dhe nuk ndikoi në angazhimet e mia publike. Por, po atë ditë, në Prishtinë erdhi Bekim Kastrati, i cili më tha se “Epoka e re” ku ishte botuar një shpifje e tillë, kishte keqpërdorë rastin e një personi tjetër nga Drenica, i cili atëherë veç ishte në moshë të shtyrë, me emrin Rexhep Kastrati, por që vërtet kishte punuar në Sigurimin shtetëror. Pra, kishte marrë historinë e dikujt tjetër dhe ma kishte mveshur mua, edhe pse më 2001 isha veç 33 vjeç, kurse personi me emër të njëjtë, ishte person me dyfishin e viteve që kisha unë.

E rasti i njëjtë i manipulimit me emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, duke e ngatërruar me një person tjetër me të njëjtin emër, dëshmon se bëhet fjalë për një vazhdimësi të pashkëputhshme dhe me qëllime të njëjta: luftën speciale kundër LDK-së. Dhe ky duhet të jetë një mesazh për të gjithë mbështetësit e LDK-së se linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste do të bëjnë gjithçka për të përçarë LDK-në, për të futur dyshime dhe pasiguri te ta dhe të refelektohet në zgjedhje. Edhe pse doli se është vetëm një shpifje, megjithatë duhet thënë se fakti se emri i kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, lidhet me një partiçkë të Bujar Bukoshit, sikur mëton t’u japë sinjal disa veglave kondomë brenda LDK-së dhe rreth saj për të vazhduar të godasin në këtë drejtim, edhe pse të kesh qenë në partinë e Bukoshit, tashmë nuk përbën kurrëfarë problemi, sepse kemi shumë që u shkëputën nga LDK, e sollën në pushtet PDK-në, dhe përsëri mëtojnë të jenë sinonim i rugovizmit.