Maqedoni i Veriut/ Kampionati në rrezik , gjashtë futbollistë rezultojnë me COVID-19

31.05.2020 23:10:45

Kampionati i Maqedonisë së Veriut, ishte caktuar që të riniste mes datave 14 dhe 21 qershor, por pasi gjashtë futbollistë rezultuan pozitivë me COVID-19, rrezikohet fillimi.

Të gjithë lojtarët luajnë për skuadrat shqiptare. Dy i përkasin kampionëve të Shkëndisë së Tetovës dhe katër Renovës, skuadrës tjetër nga Tetova.

“Për këtë shkak, seancat stërvitore të këtyre klubeve janë anuluar. Lojtarët do të vendosen menjëherë në vetizolim dhe karantinë shtëpiake“, informohet nga Sindikata e Futbollistëve të Maqedonisë.

Shkëndija ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare, duke e konfirmuar lajmin. “Për fat të keq, gjatë ditës së sotme, nga Sindikata e futbollistëve, na kanë njoftuar se dy anëtarë të klubit tonë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Në interes të besueshmërisë së rezultateve, klubi menjëherë ka nisur procedurat për të kryer testimet e dyta të dy anëtarëve që rezultojnë pozitivë.

Duke respektuar instruksionet e organeve kompetente, dy anëtarët me COVID-19 janë izoluar sipas rekomandimeve, ndërsa klubi hapat e radhës do t’i marrë në koordinim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe Institutin për Shëndetin Publik“, lexohet në komunikatën e kuqezinjve.