Maqedoni, qeveria miraton ratifikimin e marrëveshjes për emrin

18.06.2018 16:06:34

Qeveria e Maqedonisë ka nisur ditën e sotme seancën për ratifikimin e marrëveshjes së arritur dje në Prespë, midis qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Greqisë, për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Seanca ka zgjatur më pak se gjysmë ore dhe është miratuar në unanimitet.

“Në seancën e 74-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka shqyrtuar dhe aprovuar propozim-ligjin për ratifikim të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve, siç përshkruhet në Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerje të Kornizës Kohore të vitit 1995 dhe vendosjen të partneritetit strategjik ndërmjet palëve, me propozim të Ministrisë për Punë të Jashtme. Propozim-ligji për ratifikim do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë

Pas miratimit në Qeveri ditën e sotme marrëveshja do të dërgohet në Kuvend për miratim, që me shumë gjasa do të vendoset në rend dite këtë të mërkurë. Për miratimin e saj në Kuvend nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 deputetë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’. Sipas procedurave, ligji më pas edhe një herë dërgohet në presidencë.

Ndërkohë Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të firmosë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë.

Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë.