Marjana Sulejmani: “Përmbajtja e poezive të mia është, për karakrerin tim të fortë dhe të pavarur…”

30.05.2019 13:43:12

Nga: Prof.Murat Gecaj 

1.Përshëndetje, mike Marjana! Jemi njohur bashkë përmes Internetit, pra kam lexuar krijime tuat poetike, në profilin Fb dhe pastaj kemi shkëmbyer mesazhe…Si unë, por dhe lexuesit, duam të dimë diçka rreth prejardhjes tënde, pra për familjen etj. Ku ke lindur ti dhe ku e ke kaluar fëmijërinë?

-Erdha në jetë nga një dashuri e sinqertë dhe e bukur, e atyre viteve, kur dashuria e dy të rinjëve ishte e ndaluar!? Por ajo qendroi në vështirësi dhe e tillë përfundoi, e moren me vete, në prajsën e tyre?!  Ndërsa frutin e lanë mbrapa. Jam fëmija i parë, e lindur në Ulëz dhe, pas meje, janë motra e vëllai, të tre të lindur nëpër veprat e kohës. Nëna ime  ishte nga Shkodra, djepi i kulturës, humorit, muzikës e modernizimit. Që e vogël, ajo shfaqi talentin e akrobates dhe, për shumë vite, u aktivizua si e tillë. Por shumë shpejt ky talent doli ne pah dhe te une. Babai im ishte nga Mirdita dhe u largua nga fshati i tij që i vogël.. Ndoqi shkollën e teknike të mbrëmjes dhe punoi gjithë jetën e tij montator (vinxhjer), nëpër vepra të ndryshme (para viteve 90-të të shek. kaluar). Atij dhe montatorëve të veprave të mëdha iu kushtua kënga, aq e njohur për aatë periudhë, “Nga jugu, ne veri”, me tekst të P.Koçit. Im atë, atëherë, është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Medaljen e Punës”, ndër mjeshtërit më të mirë të Energjitikës ne Shqipëri.

2.Po për vitet e shkollimit, çfarë mund të na tregosh?

-Deri në klasën e 4-t jetuam në Shkodër. Mandej u detyruam që ta ndjekim babain nga pas. Dhe, në fund, qendruam ne qytetin Laç dhe ai punonte në Uzinën e Superfosfatit. Në atë qytezë të re mbarova dhe shkollën e mesme…

3.Kemi lexuar shpesh, se dëshira për të krijuar, në poezi ose prozë, lindë që në vitet e para të shkollimit…Po ti, kur ke nisur të shkruash poezi dhe a e mban mend krijimin tënd të parë poetik, për çfarë fliste ai?

-Jeta në familje na solli vështirësi nga më të ndryshmet. Nëna ime sëmuret rëndë dhe, për dy vjet radhazi, qendroi në spitalin nr.1 të Tiranës. Unë atëherë isha vetëm 8 vjeçe. Kuptohet që, mbi mua, ra barra e rendë e familjes, pra u bëra zonjë shtëpie dhe ” nënë”, për të rritur motrën 3 vjeçe dhe vëllain 8 muajsh. Im atë ishte larg me punë dhe kthehej vetëm një herë në javë, që të na shikonte!…

Ky ishte dhe çasti, që zgjoi së pari ndjenjën të shkruaj për fëmijët, në pergjithësi. Kijimi i parë i imi në poezi ishte në shkollën 8-vjeçare. Vjersha kishte titullin, “I ngjaj Lulit të Vocërr!…”. Por, me të vetmin ndryshim, ai kishte tollumbat e grisura ,ndërsa unë humba fëmijërin time, duke u bërë një “zonjë shtëpie”… Më vonë, dy mësueseve të mia të fillores, zysh Benedetes e Melihatit, ua kushtova një vjershë, e cila është në librin tim të parë. Por ajo, që ma bëri të njohur talentin tim në të shkruar, ishte hartimi me teme të lirë, kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Zgjodha temën : “Si e ndjej unë gruan shqiptare…”. Këtë hartim, mësuesja e gjuhë-letërsisë e nisi për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, e cila dilte në atë kohë. Kjo ishtre lumturia ime e jetës si femijë. Po, për fat të keq, u trajtua në mënyrën më vulgare nga drejtori i Gjimnazit,  mësuesi i historisë së partisë dhe organizata e rinisë. Më futën në kategorinë e një femre, “të cilivizuar e të degjeneruar, për ndjekje mode”?! Më vunë, publikisht, “fletë- rrufe” e karikatura të ndryshme, si në shkollë e para banorëve të qytetit…

4.Kur ke filluar t’i publikosh poezitë tua, në ndonjë organ shtypi dhe cilët libra ke botuar, deri tani?

-Përveç hartimit, që përmenda më sipër, poezitë e  mia mbetën diku në fletore?! Me jetën time të vështirë, mbas devorcit, rrita dhe edukova tre fëmijet e mi dhe mora rrugën e emigrimit, e cila është jeta më e vështirë dhe e paparashikuar. Periudha, kur jetova në emigrim dhe ndarja nga dy vajzat e mia, që jetojnë në Itali, larg meje dhe vellait të tyre, më shtynë që të shkruaj dhe ta botoj librin e parë, ” E fshehta e shpirtit tim…”(Janar,2017). Këtë botim ua kushtova tre fëmijve të mi. Por shumë poezi të miat u botuan në gazetat “Intervista” dhe “Panorama”. Ndër më të goditurat, u cilësun poezitë: “Lahuta e gjyshit tim”, “Mendimet e mia të lira”,”Karajfili i bardhë”,”Lulëkuqet”, “Jam një zog” etj.

Në shtator 2018 botova librin e dytë, me poezi-prozë,” Kur flet portreti në kornizë”, të cilin ia kushtoj vetes sime. Përmbajtja e poezive të mia është për karakterin tim të fortë e të pavarur. Mora vlerësimet më të mira nga  poetë të njohur, si:Vllasova Musta, P.Koci. Dua ta përmendi poetin Xhelal Luca, i cili ka pak kohë që nuk është më në në gjirin tonë poetik. E mbaj kujtim cilësimin, që më bëri ai: “Për mua, ti poete Marjana, je poetja e zemrave të dashuruara…”. Ndihmë të veçantë më dhanë  miqtë e mi,si:Semi Haxhiu e Kristaq Janushi etj.

5.Po.  lidhur me pyetjen e mësipërme: A ke në plan të botosh libra tjerë dhe kur e parashikon këtë gjë?

-Së shpejti do ta përfundoj jetëshkrimin tim. Gjithashtu, kam në dorë një novelë, me temën e një ngjarjeje të jetuar. Nuk parashikoj dot, se kur mund të dalë në qarkullim, për arsye të pakët kohe të lirë…

6.Çfarë interesazh tjera, përveç poezisë, ke patur Marjana,  gjatë jetës?

-Siç e cilësova më lart, kam lindur me talentin e nënës sime. Kështu, që në moshën 4-vjeçare kam dalë në skenë, me nenën si akrobate. Këtë gjë e vazhdova me esteadën e qytetit Laç, deri në moshën 11 vjeçe. Më vonë,  talentin tim si atlete, e zbuloi mësuesi im i fizkulturës, Filip Nito, i cili më mori në kujdestari. Shumë shpejt, në veprimtaritë lokale zura vende të para.Për arsye të mungesës së fondeve për trajtimin tim, Klubi Sportiv “Kastrioti”, në Krujë, nuk na mori kurrë përsipër. Njëkohësisht, jam marrë dhe me basketboll, po me të njëjtin klub, se ekipin e përbënin vajzat e Laçit.Më tej, për arsye të shpejtë martese në Shkodër, shumë endrra të miat mbetën vetëm në “sirtarin” e dëshirave të bukura?!

7.Cilin profesion ushtron dhe si e me cilët e kalon kohën e lirë, kur dihet që jeton në një mjedis të huaj, pra jo në vendlindje?

-Jetoj në Greqi, me djalin. Kam mbaruar degën ekonomike, në Shkodër dhe  kam punuar rreth 17 vjet në qytetin Koplik, po në këtë profesion…Por, në vend të huaj, nuk njihen diplomat tona! Prandaj punoj ndihmëse, nëpër shtëpia dhe 5 herë në javë bëj stervitje, në palestër, me fëmijë, që kanë probleme me shëndetin, pra një punë humanitare. Jam pjesëmarrëse në Organizatën e Bamirësisë dhe atë të Gruas… Për veprimtaritë e mia kanë shkruar: Gazeta “Ballkan”,revistat “Ekskluzive” e “Alternativa”,si dhe gazetat lokale greke. Në marsin e vitit të kaluar u cilësova “Gruja e Vitit”, nga Organizata e Gruas, “Jeta ne Selanik”, të cilën e drejton Fatime Menalla…

8.A dëshiron të shtosh diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderoj, përzemërisht dhe të uroj gjitha të mirat në jetë!

-Meqë kjo Bisedë kaq e ngrohtë dhe e përzemërt, ndërmjet nesh, më zgjoi kujtime, të cilat më kishin mbetur diku “në qoshe”, tani kujtoj mësuesen time të letërsisë, e cila më shkruante në fletoren e detyrave: “E dashur Marjana! Sikur Dante të kishte njohur ose jetuar kaq afër, sa të njohim ne, do të ishe personazhi kryesor i tij dhe më i dashur nga fëmijët, në veprat që ai ka shkruar. Sepse bota jote, si fëmijë, ka vlera të veçanta dhe të fshehura. Por s’ ka gjë, për mua mjafton, që je “Gavroshi i Hygoit”(kështu më thërriste, atëherë, mësuesja ime)…

Falënderimi i kësaj Bisede u kushtohet ju, miku im, Prof.Murat Gecaj. Ju më zgjodhët dhe unë iu përgjigja, me dëshirë e sinqeritet, pyetjeve tuaja.Mirënjohje që, për disa minuta, më pranuat “muza” e krijimeve tuaja! Ju uroj shëndet dhe suksese në punën tuaj e respekt, pa fund!

-Ishte kënaqësi, që biseduam bashkë, mike poete Marjana Sulejmani dhe të urojmë nga zemra:

Shëndet e mbarësi, bashkë me fëmijët dhe arritje të reja e të pandërprera, në punë, veprimtari dhe krijimtarinë poetike!

Tiranë-Selanik, 30 maj 2019