Marrëveshja Greqi – Maqedoni për emrin në kontekstin rajonal dhe shqiptarët

19.06.2018 18:31:40

Nga Rexhep Kastrati

Kryeministri i Greqisë, Tzipras dhe ai i Maqedonisë, Zaev i dhanë fund historisë së emrit të shtetit të dalë nga ish-Jugosllavia në një atmosferë shumë festive, madje shumë vëllazërore, kur pat edhe dhurim kollaresh.

Marrëveshja për emrin, sipas të cilës, Maqedonia do të quhet Maqedonia Veriore, është një shpërfaqje e afrimitetit të vazhdueshëm ndërmjet sllavomaqedonasve dhe grekëve, pavarësisht çështjes së emrit. Kjo është parë sidomos gjatë luftës në Maqedoni, kur Greqia kishte mbajtur qëndrim miqësor, madje të anshëm në favor të sllavomaqedonasve.

Në të vërtetë, festiviteti, ekzaltimi dhe afrimiteti vëllazëror i vërejtur në takimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kalonte çdo kufij të një akti diplomatik.

Kjo marrëveshje, ndërkaq, parë në kontekstin rajonal, është një marrëveshje që kurorëzon një aleancë sllavo-ortodokse, jo vetëm në aspektin sllavomaqedonas-grek, por edhe në atë bullgar, marrë parasysh edhe deklarimin zyrtar bullgar lidhur me këtë marrëveshje.

Këtë e bën edhe më të qartë fakti se emërtimi “Maqedoni Veriore”, si propozim është shumë i hershëm, dhe ka mundur të rezultonte me marrëveshje qysh moti.

Prandaj, është e qartë se kjo marrëveshje është arritur pikërisht në këtë kohë kur Greqia ka një angazhim të madh për të pasur një pozitë favorizuese në rajon, përfshirë edhe negocitatat me Tiranën për çështjen e detit, të luftës dhe për çështje të tjera, ku ka shenja edhe të një marrëveshje për të mbyllur çështjen çame.

Po ashtu, kjo marrëveshje duhet parë edhe në kontekst të një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e në të cilën dhe me të cilën Serbia do të lavdërohet për kompromisin, ashtu sikurse Milosheviqi pas marrëveshjes së Dejtonit.

Pra, bëhet fjalë për një fuqizim të sllavo-ortodoksëve në rajon, e që gjithsesi do të jetë në dëm të faktorizimit të shqiptarëve si faktor përcaktues për faktin se ka dy shtete, janë faktorë përcaktues në një shtet tjetër etj.

Edhe në aspektin e integrimeve euro-atlantike, Maqedonia do të jetë e privilegjuar pa e zgjidhur si duhet pozitën e shqiptarëve në territoret e tyre atje, siç pritet që edhe Serbia të jetë e privilegjuar dhe me përfitime të shumta: ajo tashmë është mjaft e privilegjuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe ka rol përcaktues për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

Vetë emërtimi “Maqedoni Veriore”, ndërkaq ka konotacionet gjeografike, identitare, historike etj.,, dhe si i tillë është diskriminues për shqiptarët, sepse kontekstualizon atë që quhet Maqedonia e Epirit në Greqi, pra e fuqizon karakterin sllavo-ortodoks dhe e dekonstektualizon identitetin antik ilir të territorit dhe entitetit gjeografik. Është kështu për faktin se Maqedonia është veriore në raport me atë që quhet Maqedonia e Epirit, kurse ajo që quhet Maqedonia e Epirit, quhet e tillë në kontekst të helenizimit politik të bazuar në Meghali Idea-n greke.

Për ta pasur më të qartë këtë që po them duhet të kujtojmë: Irlanda – Ilrlanda Veriore; Koreja Veriore – Koreja Jugore, më parë: Gjermania Perëndimore – Gjermania Lindore etj.