“Marrëveshje afatgjatë me Kosovën për t’ia mundësuar Serbisë hyrjen në BE”

11.10.2017 21:07:45

Më së miri do të ishte kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hynin së bashku në Bashkimin Evropian. Kjo argumenton se vendet e tilla nuk do të lejojnë askënd tjetër të përdorin mos-anëtarësimin si shkak i mosmarrëveshjes dypalëshe.

Kështu mendon profesori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, Florian Biber. Në Forumin e Sigurisë në Beograd ku Biber është duke marrë pjesë ka thënë se do të ishte ideale për të që sa më shumë vende të anëtarësoheshin bashkë pasi sipas tij, kjo lehtëson procesin e anëtarësimit pasi është i nevojshëm ratifikimi nga të gjitha shtetet anëtare e cila është një proces i gjatë, transmeton lajmi.net.

Biber ka theksuar se nëse Serbia dhe Mali i Zi në të njëjtën kohë hyjnë në BE, vendet e tjera do të motivoheshin për të përshpejtuar procesin e integrimit.

“Kjo mund të jetë Shqipëria, por mund të jetë edhe Maqedonia nëse kjo e fundit e zgjidh mosmarrëveshjen me Greqinë. Kjo do të ishte një sinjal shumë i mirë. Nëse vendet bashkohen me BE-në të njëjtën kohë atëherë mund të lihen anash konfliktet dypalëshe”, ka thënë Biber.

Ai beson se Serbia dhe Mali i Zi janë më të përparuara në procesin e integrimit evropian, por tregon se në përgjithësi kjo është vetëm në kuptimin formal pasi që çështjet thelbësore si sundimi i ligjit, liria e medias dhe lufta kundër korrupsionit ende nuk janë zgjidhur.

“Këto gjëra duhet bërë para anëtarësimit”, është shprehur Biber, duke shtuar se kur është fjala për Serbinë është e nevojshme të zgjidhet çështja e Kosovës.

“Ne kemi diskutime për dialogun e brendshëm në Serbi, por ne fund të fundit në duhet të gjejmë një marrëveshje përfundimtare afatgjatë me Kosovën në mënyrë që Serbia të mund të bëhet anëtare e BE-së”.