Marrëveshje me UT, Meta: Kuvendi lë për të dëshiruar sa i përket cilësisë së përfaqësimit

13.12.2016 12:00:15

Kuvendi i Shqipërisë dhe Universiteti i Tiranës kanë nënshkruar ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi.

Në fjalën e tij me këtë rast, Meta e vlerësoi si shumë pozitiv bashkëpunimin që Kuvendi ka pasur gjithmonë me Universitetin e Tiranës, përvoja e të cilit sipas Metës ka qenë gjithë e vyer, përmes akademikëve dhe profesorëve, si në rastin e reformës në drejtësi.

Por kryeparlamentari nënvijëzoi se programimi i këtij bashkëpunimi në formën e një marrëveshjeje është shumë e rëndësishme, pasi kuvendi ka nevojë për analizë në vendimmarrje të rëndësishme.

“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, dhe pse jo të programuar në mënyrë shumë të qartë. Si për reformën në drejtësi, ku shumë përfaqësues të shkencës të së drejtës janë angazhuar në këtë reformë, por jam i bindur që kjo përvojë duhet programuar më qartë, pasi kuvendi ka nevojë për analizë në vendimmarrje të rëndësishme. Dyert e kuvendit do të jenë të hapura për studentët që duan të bëjnë praktikat. Shpesh vendimmarrjet kanë qenë të ndikuara politikisht të nxituara nga mungesa e njohurive dhe shpesh për shkak të mungesës së vullnetit. Paraprirja e vendimmarrjes nga studime dhe debate është shumë e rëndësishme. Kuvendi lë për të dëshiruar sa i përket cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë. Të gjithë forcat politike në 2017 të gjejnë mundësinë për t’u përfaqësuar me sa më shumë akademikë, profesorë që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes këshillave, po edhe përmes një pjesëmarrjeje më aktive në vendimmarrje”, tha Meta.