Marsh përkujtimor për viktimat e Srebrenicës

11.07.2019 20:56:12

Në Beograd të Serbisë, është organizuar një marsh përkujtimor për viktimat e masakrës së Srebrenicës, në të cilën, 24 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës, vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Marshi, i organizuar nga Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, u zhvillua në sheshin ndërmjet presidencës së Serbisë dhe Parlamentit.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Kanadasë dhe Australisë.

Pjesëmarrësit, përkujtuan viktimat e Srebrenicës përmes ndezjes së qirinjëve.

“Respektimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, nga përfaqësuesit e qeverisë duhet të jetë baza- jo vetëm deklarative- e një politike proaktive të paqes dhe stabilitetit të Serbisë”, u tha në deklaratën e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Srebrenicës,
në një deklaratë të përbashkët, të nënshkruar nga njëmbëdhjetë organizata joqeveritare, thuhet se “është një fakt i turpshëm që asnjë nga zyrtarët e Republikës së Serbisë – që nga viti 1995 – nuk e ka karakterizuar Srebrenicën si gjenocid. Kjo konfirmon vazhdimësinë e mohimit të gjenocidit në nivel shtetëror dhe të shoqërisë”.

Në Beograd, të enjten në mbrëmje, do të mbahet edhe një performancë teatrore e regjisorit, Zlatko Pakoviq me titull “Srebrenica, kur ne të vrarët, ngritemi”.

Kjo ngjarje është përkahur nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.