‘Marshi i grave’ në Washington dhe botë kundër Trump

21.01.2017 17:39:20

Qindra mijëra protestues kanë dalë në rrugë, nëpër qytete në të gjithë botën më 21 janar, për të treguar solidaritet me protestën në Washington, e quajtur “Marshi i Grave”, kundër presidentit të sapo-inauguruar të SHBA-së, Donald Trump.

Protestat e para u organizuan në Zelandë të Re dhe në Australi, ku mijëra burra dhe gra marshuan në Sydney, Melbourne, Wellington, dhe Auckland.

Me tubimet e planifikuara në 673 vende në mbarë botën, marshuesit parakaluan edhe në Londër, Pragë, Dublin, Amsterdam, Paris, Seul, Tokio, si dhe qytete të tjera.

Ngjarja kryesore “Marshi i grave ” zhvillohet në Washington.

Organizatorët kanë thënë se presin 200.000 njerëz për të marrë pjesë në marshimin e tyre në Washington, që nis në orën 10 paradite sipas kohës lokale (16:00 sipas orës sonë).