Masa të larta sigurie në Greqi para vizitës së presidentit amerikan, Barack Obama

14.11.2016 15:43:43

Masa të larta sigurie janë ndërmarrë nga policia greke në kuadër të vizitës së presidentit amerikan në ikje, Barack Obama në Athinë, ku janë parashikuar manifestime, bënë të ditur burime policore.

Mijëra policë do të jenë të pranishëm në qendër të Athinës, që do të bllokohet të martën për qarkullimin për disa orë, gjatë takimeve të presidentit amerikan, Barack Obama me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe presidentin e Republikës greke, Prokopis Pavlopoulos, sipas të njëjtit burim.

“Masat do të rriten sipas rrethanave që vizita e presidentit amerikan të shkojë në siguri të plotë”, theksoi një burim policor.

Barack Obama do të lërë Uashingtonin sot për udhëtimin e fundit në Evropë që do të nisë në Greqi të martën dhe të mërkurën. Më pas ai do të vazhdojë vizitën në Gjermani, ku do të përpiqet të qetësojë aleatët, të tronditur nga zgjedhja e presidentit të ri Donald Trump.