Masakër në Itali/ Shoferi shtyp turistët, 6 të vdekur dhe 11 të plagosur

05.01.2020 10:13:12

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në orët e para të mëngjesit në Lutago të Italisë, ku për pasojë humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 11 të tjerë.

Ngjarja ndodhi diku rreth orës 01:15, ku një makinë me shpejtësi të lartë goditi një grup njerëzish në buzë të rrugës, të cilët ishin të gjithë turistë të rinj gjermanë.

Teksa dinamika e aksidentit mbetet e paqartë, nisur nga çfarë raportojnë mediat italiane, pasi kaluan mbrëmjen në një klub, grupi i turistëve gjermanë ndodhej pranë një autobusi turistik kur u godit nga një makinë, e cila drejtohej nga një 28-vjeçar, që rezultoi me përmbajtje shumë të lartë të alkoolit. I riu është arrestuar dhe dërguar në spitalin Brunico për t’iu nënshtruar analizave përkatëse.

Nga 11 të plagosurit, tre janë në gjendje të rëndë, mes tyre një grua. Kjo e fundit u transportua me helikopter gjatë natës, drejt klinikës universitare të Innsbruck, Austri.