Masakra e 5 marsit 1998, apo tradhtia e madhe ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij

05.03.2017 14:04:01

Nga Rexhep Kastrati

1

Ish-gjenerali serb, Stevan Gjuroviq, në një intervistë, ndër të tjerash ka thënë se “Ne ishim në dijeni për çdo hap që bënte komandanti i shqiptarëve, Adem Jashari, pasi ne kishim spiunë brenda dhe për ketë arsye ne dinim çdo gjë rreth tij, se ku po shkonte e çka po bënte”, duke pohuar se kishte spiunë brenda grupit të Adem Jasharit.

Kjo që ka thënë Gjuroviq është shumë e njëjtë apo e ngjashme me atë që ka thënë ish –shefi i shërbimit francez Pierre Siramy lidhur me Hashim Thaçin si spiun i DGSE-së, shërbimit sekret francez.

Ndërmjet këtyre deklaratave që nuk janë mohuar nga askush deri më tash, duhet kërkuar të vërtetën për tradhtinë e madhe që iu bë Adem Jasharit me familje pikërisht sot e 19 vjet më parë, e që ka rezultuar me braktisjen e plotë nga ata që gjatë tërë kohës ishin me të.

Siç dihet, më 5 mars 1998, vetëm një javë pas masakrave në Likoshan dhe Qiirez të kryera më 28 shkurt të atij viti, Adem Jashari ishte braktisur nga të gjithë të ashtuquajturit bashkëluftëtarë, dhe në një rrethim të kryer nga forca të mëdha policore, do të ndodhë masakra më e madhe e një familje shqiptare: masakra ndaj familjes jashari, gjatë të cilës, pos Adem e Hamëz Jashari dhe babait të tyre, Shabanit, kishin mbetur të masakruar dhe të vrarë dhjetra të tjerë familjarë.

Dhe që atëherë është pyetja: pse ikën të gjithë dhe nga e kishin marrë vesh se atë ditë do të ndodhte masakra?

Natyrisht, se përgjigjen për këtë pyetje duhet ta japin Rexhep Selimi, Sami Lushtaku dhe shumë të tjerë që veten e mbajnë komandantë, dhe të cilët më 5 mars 1998 kishin ikur dhe e kishin lënë Adem Jasharin me familje vetëm.

2

Masakra ndaj familjes jashari ndërkaq nuk duhet të shihet e shkëputur nga masakra në Likoshan dhe në Qirez që kishte ndodhur më 28 shkurt 1998, as nga vrasja e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, më 31 janar 1997, sepse bëhet fjalë për eliminime të dejtuesve të dy grupeve guerile: të grupit të Drenicës dhe të Llapit, që kishin realizuar ushtrime ushtarake në shtetin shqiptar të nga viti 1991, në bazë të një marrëveshjeje të presidentit Rugova dhe Ramiz Alisë.

Në anën tjetër, vetë masakrat, si në Likoshan dhe Qirez, ashtu edhe e familjes jashari, kanë qenë edhe në funksion të përmbysjeve politiko-institucionale si në shtetin shqiptar, ashtu edhe në Kosovë, për t’i hapur rrugë linjës së Tiranës/Kretës në krye me Hashim Thaçin, e që kishte dalë pas takimit Nano -Milosheviq në Kretë, por që ishte pjellë e agjenturave kundërshqiptare.

Në këtë kuptim, me vrasjen e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe masakra mbi familjen jashari, synohej pikërisht të prishej vazhdimësia e luftës guerile që kishte filluar që në dhjetor të vitit 1991, e që bëhej në bashkërendim me organizimin politiko-institucional të Kosovës, dhe të imponohej një linjë që fund e krye do të përqëndrohet në luftën vëllavrasëse brendashqiptare, në ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, e që vazhdoi pas luftës dhe po vazhdon edhe sot e gjithë ditën.

Tradhtia e madhe që është bërë më 5 mars 1998, e që pason tradhtinë e madhe që u është bërë Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut më 31 janar 1997, duhet të dalë e plotë nga bashkëluftëtarët e vërtetë të Adem Jasharit, nga ata që nuk janë gjak i prishur dhe i shitur.