MASAKRA E JANARIT 1990 NE FSHATIN BRESTOVC KOMUNA RAHOVECIT

19.02.2019 12:01:59

Pergaditi: Sylejman Morina

IMAZHI QË I DHA FOTOGRAFIT GEORGES MERILLON ÇMIMIN :‘’WORLD PRESS PHOTO of the YEAR,’’ 1991 DHE U SHFAQ SI EVIDENCË E KRIMEVE TË MILLOSHEVIÇIT NË GJYQIN E HAGËS.

Në këndvështrimet e shumta për të klasifikuar një fotografi influencuese, një aspekt qëndron konstant, i padiskutueshëm në historinë e fotografisë; fotografi duhet të jetë atje në momentin më kulmor. Një fotografi e mirë është jo vetëm dëshmitare ngjarjesh historike, por sjell pamje për një botë më të gjerë dhe krijon atmosferë ku ndërhyrja shihet e domosdoshme.
Janë të shumta rastet kur fotografitë e botuara në revista, apo në shtypin e përditshëm, kanë nxitur organizma dhe opinionin publik në zgjidhjen e katastrofave natyrore, apo ato të shkaktuara nga vetë njeriu.
Fotografia VAJTIM NË KOSOVË, e fotografit, Georges Merillon, që po i prezantoj lexuesit në këtë shkrim, është një imazh, që edhe pa ditur rrethanat, të trondit. Është më shumë se një dokumentim ngjarjesh historike, është nga ato raste që një vepër arti e quajmë të bukur edhe pse na ngjall trishtim.
Por fotografia shënon histori gjithashtu. Nasim Elshani është ndër viktimat e para të Millosheviçit në Kosovë. Ai vdiq në Janar, 1990, qëlluar nga policët në një protest në Brestov. Kjo vrasje më vonë u shfaq si evidencë në katalogët e krimeve ndaj Shqiptarëve të Kosovës në gjyqin e Hagës.
Protesta ishte rrjedhim i masave policore të Millosheviçit, që në 1989 shfuqizoi statusin e Kosovës si Provincë Autonome, stabilizuar nga Tito në 1974. Shqiptarët u përjashtuan nga të gjitha postet që mbanin në institucionet e shtetit. Ky vendim nxiti protesta të fuqishme në Shqiptarët e Kosovës, që përbënte 90% të popullatës prej dy milionësh.
Në atë kohë, asnjeri nuk mund të imagjinonte sa larg do të shkonte shtypja e Shqiptarëve në Kosovë. Më shumë se 100 demostrues u vranë dhe më shumë se 1000 u dënuan në protestat e fundvitit 1989, që vazhduan në 1990. Ky ishte vetëm fillimi i një lufte dhe terrori të egër. Koha provoi që Millosheviçi të ishte një nga më të humburit në histori. Ai dështoi të mbaj Jugosllavinë të bashkuar dhe dështoi të ndërtoj një Sërbi të Madhe.
Ishte 29 Janari, 1990 kur Merillon mori fotografinë. Imazhi u botua një muaj më vonë në Francë në revistën L’EXPRESS* me komentin e autorit:
‘’Unë hyra në dhomë. Shtrirë në tokë, trupi i Nasim Elshanit. Vetëm gra. Nuk dëgjohej tjetër veç vajtime. Drita që hynte nga e vetmja dritare ishte e zbehtë. Kameramani hyri bashkë me mua dhe ndezi dritën e kameras. Prozhektori u aktivizua menjëherë. Unë bëra fotot brenda një minute dhe u largova.’’
Për nga vlerat historike, emocionet që ngjall, dhe influencën, ky imazh është botuar në librin me të vërtetë interesant të autorit TOM ANG* me titull: PHOTOGRAPHY, THE DEFINITIVE VISUAL HISTORY, 2014, në kapitullin, CHALLENGE AND CHANGE, f.320-321, shoqëruar me komentin si më poshtë:
MOURNING IN KOSOVO. GEORGES MERILLON, 1990.
‘’Nëna, motrat dhe fqinjë të fshatit vajtojnë mbi trupin e Nasim Elshanit 27 vjeçar, i vrarë gjatë një proteste kundër vendimit të qeverisë Jugosllave për heqjen e autonominë së Kosovës. E njohur si ‘’KOSOVO PIETA,’’ për ngjashmërinë me pikturat e Mjeshtrave të Vjetër,’’ Virgin Mary mourning Christ,’’ fotografia fitoi çmimin ‘’World Press Photo of the Year 1990.’’

A N A L I Z Ë E FO T O G R A F I S Ë :
Që fotografia është art, nuk mund të diskutohet kur shikon një imazh si vajtimi i Nasim Elshanit të Georges Merillon. Gruaja e re në qendër përshfaq diçka universale në këtë dhimbje të një familje Kosovare.
Do të ishte e limitizuar të përcaktosh influencën e një imazhi vetëm në kuadrin e dokumentimit. Fotografia e Georges Merillon, Vajtim në Kosovë, i kalon kufijtë e një dokumentimi të një proteste. Është një fotografi, që edhe pa ditur rrethanat, të ngjall emocione të trishtuara. Që në shikim të parë në imazh mbizotëron një gjendje dëshpërimi pa fund, një skenë me të vërtetë katastrofike ku shuhet çdo iluzion për ringjallje.
Georges Merillon në këtë rast nuk është thjesht dikush që përdor teknologjinë e kohës, kameran. Ai dëshmon një moment, që pa prezencën e tij, nuk do të ishte bërë i njohur, ashtu si shumë ngjarje të tjera tragjike gjatë luftës së Kosovës, sjell të hidhurën e shkuar me një vepër arti.
Në fotografi dallohen qartë dy nga komponentët që kompletojnë një vepër arti: Zgjidhja grafike dhe ngjyrat.
Nga ana grafike fotografia konsiston në dy grupime grashë, secila në një moment të veçant emocional. Grupi në të majtë, përqëndruar te motra e madhe, që është qendra e gjithë imazhit, është më kompakt. Gratë me shikim të trishtuar dhe duar të zgjatura, mundohen t’a qetësojnë atë. Interesante është se pamja bëhet më e qetë kur shikimi lëviz nga e majta në të djathtë. Mbrapa nënës një grua e moshuar me shikim vajtues nga motra në qendër. Përpara saj, nëna ka hapur duart sikur do t’a përqafoj të birin për herë të fundit. Në kontrast, motra e vogël është me vështrim të qetë hedhur diku nga vjen drita. Poshtë, afërsisht në linjë horizontale, trupi pa jetë i Nasim Elshanit mbuluar me çarçafë të bardhë qëndron si alegori që ndanë jetën nga vdekja. Vetullat, sytë, buzët, ndjekin një linjë diagonale që ngjitet lart drejt motrës, që po përjeton një moment tejet të dëshpëruar.
Në rastin e Merillon, shfaqet qartë ajo që quhet, Momenti Deçiziv, ëndërra e çdo fotografi të ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur. Autori ka kapur një moment në kulmin e tij. Një sekondë më vonë gratë mund të kishin larguar nga skena motrën, që në fakt është esenca e suksesit të imazhit. Të gjithë gratë janë ulur. Çdo figurë në këmbë do të shuante ekuilibrin e momentit.
Drita e prozhektorit të kameramanit fokusuar në qendër, zbehet kur kalon djathtas dhe çuditërisht, sikur do të thyej ligjet e optikës bëhet e fortë kur zbret poshtë mbi trupën e Nasimit. Të le përshtypjen sikur ka dy burime drite.
Shpërthimi dëshpërues i motrës në qendër, gratë përreth saj, duartë e hapura të nënës, trupi i shtrirë pa jetë i Nasimit, ngjyra e zbehtë në fytyrën e tij, të sjellin ndërmend pikturat e Rilindjes Italiane me motive nga varrimi i Krishtit. Kjo ngjashmëri ka bërë që fotografia Mourning in Kosovo, nga stjudjues dhe historian arti të quhet, KOSOVO PIETA*
Po të botohej në bardhë e zi, imazhi do të humbiste atë që e bën të marrë përmasa biblike, drita.Tre ngjyra mbizotërojnë në fotografi: E bardha , e kuqja dhe e zeza. Si për të plotësuar harmoninë e ngjyrave, mbi krye majtas, një sfond i ndërmjetëm i errët. E kuqja ndën krye, tiparet dhe mjekra e zezë e Nasimit të kujtojnë ngjyrat e flamurit tonë, simbol i qëndresës dhe egzistencës. E bardha e çarçafit rrezaton vazhdimësi jete, e errëta, moment trishtimi.

HISTORIA E FOTOGRAFIMIT, BAZUAR NË NJË INTERVISTË QË AUTORI KA DHËNË PËR PARIS MATCH,* NË 2005.
Ngjarja ndodhi në fund të vitit 1998. Në atë kohë asnjë njeri nuk e mendonte se duhej përqëndruar vëmendja në konfrontimin e një grupi të paarmatosur nacionalistësh Kosovar kundër forcave Sërbe.
Merillon lexoi një raport të A.F.P.* për demostratat. Ai nuk kishte informacion të saktë se çfarë po ndodhte.’’U bëra dëshmitar në përplasjet e demostruesve të rinj me forcat Sërbe,’’ kujton Merillon. ‘’Ata qëllonin me gurë tanket.’’Në mbrëmje të ditës së dytë ai dëgjoi për një fshat ku ushtria hapi zjarr mbi demostruesit.Të nesërmen në mëngjes, me një grup të vogël televiziv Frances, u nisën për në fshatin e vogël Nagafoç. Arritën në fshat rreth mbasdites.‘’Na u duk sikur të ishte fundi i botës kur pamë fshatarët të turreshin të na tregonin çfarë kishte ndodhur,’’ vazhdon Merillon. Në 27 Janar, policia Sërbe, kishte zënë pritë për të rinjtë e fshatit që po shkonin për një grumbullim në Rahovec, pak km. larg. Policët morën pozicion në gjunjë dhe qëlluan. Katër u vranë dhe 32 u plagosën.
Gazetarët po afroheshin drejt një dhome të vogël ku trupi i një të riu mbuluar me çarçaf të bardhë ishte shtrirë për tokë. Gra, nëna e të riut, motrat të grumbulluar rreth trupit.
Koha ishte e shkurtër. Për shkak të shtetrrethimit në Prishtinë, duhej të ktheheshim sa më shpejt të ishte e mundur. Grupi televiziv prej tre vetash, filmuan grupin e grave. Merillon shpenzoi më pak se pesë minuta në dhomë. Fotografi kujton kualitetin e lartë të dritës përreth trupit të të vrarit. Kur grupi televiziv u largua, gjysëm errësira pushtoi dhomën.
Në atë moment aq të shkurtër, Merillon kujton se një nga imazhet ishte e përkryer. Fotografia u botua një muaj më vonë me titullin: ‘’Nogovaç, Kosovë, Jugosllavi, 28 Janar, 1990. Vajtuesit në vdekjen e Nasim Elshanit (27), që u vra gjatë një proteste kundër vendimit të Qeverisë Jugosllave, për të hequr Autonominë e Kosovës.’’
Personaliteti i parë politik ishte Francois Mitterand, që shkroi vetëm pak fjalë kur pa fotografinë. Ishte i pari që vuri në dukje dimensionet e imazhit në këndvështrimin artistik dhe që padyshim evokon një mësim historik dhe politik që mund të mësohet nga ky imazh, kur thotë:
‘’Si ka mundësi të mos sjellësh ndërmend Mantegna apo Rembrand? Zemërimi dhe dhimbja kanë gjithmonë të njëjtën pamje. Një nga problemet që po ballafaqohet Europa në këtë fundshekuli është ajo e minoriteteve. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje sa më shpejt.’’

D H J E T Ë V J E T M Ë V O N Ë, 1999.

Ajo që pa dhe jetoi Merillon në ato pak minuta në atë dhomë të ndriçuar dobët përpara trupit të Nasim Elshanit, kishin ngelur të pashlyera në kujtesën e tij. As ai s’e mendonte se ajo fotografi, e vajtimit të një familje, u bë emblema e vuajtjeve të Shqiptarëve nga terrori sërb. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, kur trupat e N.A.T.O. –s hynë në Kosovë, fotografi u kthye në Kosovën e shkatërruar nga lufta, të takoj familjen që fotografoi.
Pascal Convert*: INTERVISTË ME FOTOGRAFIN GEORGES MERILLON, 2005. ( Fragment)
P.C. – Në 1999, ju u kthyet në vendngjarje për një reportazh për PARIS MATCH. Pse e ndjetë të nevojshme të riktheheshit?
G.M. – Unë e përshkruajta ngjarjen për vehte, edhe pse u botua në PARIS MATCH dhe të tjera .Që ditën e parë – është fjala për ditën e çlirimit, – u ktheva menjëherë në Kosovën e shkatërruar. Është një vend që nuk e kam harruar. Ai imazh më bëri të mendoj përsëri, është një vend që unë kam lidhje me të, edhe pse aq larg. Gjatë publikimit të fotografisë familja nëpërmjet një dajo me banim në Zvicër, më bën të ditur se dëshëronin të kishin fotografinë. Kështu u bë emundur që ata të posedonin fotografinë. Ishte një vazhdimësi logjike të kthehesha atje, të mësoja çfarë kishte ndodhur me atë familje, në atë fshat. Kjo më mori mua katër ditë investigimesh të gjeja njerëz që ishin shpërndarë plotësisht dhe nuk kishin dijeni për njëri tjetrin. Kjo bëri qëunë të shihja ata përsëri.
C. – Si ju pritën?
M. – Fizikisht unë shpenzova vetëm pak minuta në jetën e tyre. Ata mund të harronin fytyrën time, sidomos pas dhjet vjetësh. Por unë i njoh ato fytyra, dhe kur janë përpara meje unë di kë shikoj, është pothuajse si familje për mua. Kështu diçka ndodh kur e njeh tjetrin shumë mirë, dhe tjetrit nuk i kujtohet fare kë ka përballë. Pastaj hymë në bisedë dhe unë u bëra ai fotograf, që mora foton atë ditë mortore në shtëpinë e tyre. Kjo menjëherë krijoi lidhjen.

INTERVISTË ME PRESIDENTIN E ÇMIMIT, WORLD PRESS, Christian Caujolle.
Intervistoi, Pascal Convert, 2005.
P.C. – Çfarë kujtimesh keni për Kosovo Pieta?
C.C. – Diskutimi i zhurisë ishte në ekstrem intensiv dhe shumë i ngjeshur në argumenta. Duhet të kuptojmë se në atë kohë, 1990, Kosova nuk ishte në të rejat e shtypit.
P.C. – Si e vlerësuat këtë imazh në raundin e parë?
C.C. – Unë e kishja parë atë të publikuar. Por nga ana tjetër unë nuk e vura re për herë të parë, që është një kalim zbulimesh kur kemi parasysh se ishin me mijra imazhe për vlerësim.
P.C. – Çfarë ju tërhoqi, që në mijra imazhe paraqitur për çmim, vendosët për fotografinë e Georges Merillon?
’’Të imponohej me cilësinë e fotografisë, me kualitetin e mrekullueshëm të ngjyrave. Në stilin e saj të kujtonte pikturat e artistëve Flaming, ishte kjo dhe momenti emocional i kapur që dominoi diskutimin e zhurisë. Klithma është një formë që ngjall mëshirë sepse përfshinë në vetvehte bukuri dhe dhimbje në të njëjtën kohë. Të shprehurit e dhimbjes provokon pikëllim, sidoqoftë pikëllimi në një vepër arti, duhet të transformohet nëpërmjet bukurisë, në një ndjenjë të butë mëshire. Një gojë e hapur shpreh efektin më goditës të momentit, pa përmendur pamjen e shtrembëruar që i jep fytyrës. Bazuar në këtë cilësi të lartë të ngjyrave dhe kompozimit në kushtet e ngjarjes, është një kryevepër. Ja pse është vlerësuar.’’

* Georges Merillon – Lindur në Francë në 1957. Ka mbuluar si fotograf ngjarje ndërkombëtare dhe reportazhe për probleme shoqërore botuar në L’ EXPRESS, TIME, PARIS MATCH, INDEPENDENT. Ka qënë vlerësuar me çmime ndërkombëtare disa herë si: WORLD PRESS, Picture of the year,Kosovo, 1991. European Photographer of the year, 1993. Një tjetër çmim, WORLD PRESS, Picture of the Year, 1995, në mbulimin e ngjarjeve në Algjeri.
A.F.P. – International News Agency, Paris, krijuar në 1835.
L’EXSPRESS – Revistë e përjavëshme në Paris prej vitit, 1953.
PARIS MATCH – Revistë e përjavëshme në Paris prej vitit, 1949.
Pascal Convert – Skulptor francez,ka lindur në 1957. Autor i disa librave për artet vizuale.
Tom Ang – Fotograf lindur në Singapore në 1952. Autor i më shumë se 30 librave. Lektor në Photografic Practice në Universitetin Wenstminster, Londër.
PIETA – Sipas Oxford English Dictionary, termi PIETA me gërma të mëdha, ndryshe nga fjala pieta në gjuhën e përditëshme në italisht që dotë thotë, mëshirë, keqardhje, ka marrë një kuptim tjetër në gjuhën e artit. Në këtë rast kjo fjalë është përdorur për të përkufizuar një skulpturë apo pikturë të Virgin Mary duke mbajtur në duar, apo vajtuar mbi trupin e vdekur të Krishtit. Vepra më e arritur me këtë subjekt në skulpturë, mbahet, PIETA e Michelangelo-s, 1498-1499, në Vatikan.
Fotografia e Georges Merillon, tashmë e njohur si KOSOVO PIETA, nga ana e zgjidhjes grafike, ngjyrave dhe emocionetve që të ngjall, është më e ngjashme me pikturën eAnnibale Carraci e vitit 1604 me titull: ‘’The Dead Christ Mourned,’’ tani në National Gallery, Londer.