MASHT nuk e di nëse Lëvizja “Gylen” ka operuar në Kosovë përmes shkollave private

19.07.2016 18:20:51

Turqia ka shtrirë ndikimin e saj në Kosovë dhe përgjithësisht në rajonin e Ballkanit përmes hapjes së shkollave, kryesisht në nivel fillor dhe atë të mesëm. Këto shkolla funksionojnë në disa komuna të Kosovës, kurse zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se ato janë të regjistruara në Ministrinë e Arsimit dhe veprojnë sipas plan programeve shkollore të vendit.

Hapja e shkollave që financohen nga Turqia filloi që prej përfundimit të luftës dhe shumica e tyre janë pjesë të organizatës joqeveritare Gylistan, pjesë e Lëvizjes së Gylenit, një disident turk, që jeton në SHBA. Së fundi Ankaraja zyrtare e akuzoi atë për organizim të grusht shtetit, që dështoi fundjavën e kaluar.

Shkollat e financuara nga Turqia në Kosovë, sot ndodhen në pothuajse pjesën më të madhe të vendit, me një numër të konsiderueshëm të nxënësve. Ato janë shtrirë në komunat e Lipjanit, Prizrenit, Gjakovës dhe në lagjen Marigona në afërsi të Prishtinës dhe që të gjitha thuhet se veprojnë në kuadër të shkollës ‘Mehmet Akif’.

Fillimisht, në Prizren qe hapur një organizatë joqeveritare që ndihmon në fushën e kulturës dhe të arsimit, e quajtur Atmosfera, që vazhdon punën e saj edhe në ditët e sotme edhe në Prishtinë.

Në një hulumtim të mëhershëm të një hulumtuesi të pavarur, Jeton Mehmeti, thuhet se Lëvizja Gylen për vite të tëra vepron gjithandej vendit, me përpjekjet që të ndërtojë reputacionin se po ndihmon në shkollimin e të rinjve, që po kontribuon në dialogun ndëretnik dhe lëvizja e tij ka lidhje të ngushta me Kolegjin Mehmet Akif, megjithëse funksionojnë ndaras.

Në hulumtimin thuhet se Lëvizja Gylen ka ndihmuar në ndërtimin e konvikteve të studentëve, në ofrimin e lëndëve jashtë mësimit për mësim të gjuhëve të huaja dhe gjithashtu ka ofruar ndihmë edhe për përkthimin e librave të rëndësishëm.

Sipas hulumtimit, kolegji i përmbahet kurrikulit shtetëror dhe është shkolla e vetme ndërkombëtare që bazohet në shkencë, por nxënësit i mëson edhe për etikën dhe moralin.

“Nuk ka lëndë për religjionin, po studentëve përveç mësimit për shkencën u ofrohen edhe dije për vlerat etike”, është thënë në hulumtim.