MASKA, PISTOLETA,THIKA…Plas hajdutllëku në Maqedoni!

13.02.2017 15:10:34

Dhjetëra grabitje nga persona të armatosur dhe me maska

Nën kërcënimin me pistoletë ose me thikë, brenda një dite janë vjedhur tre dyqane, dy taksistë, një i mitur në Shkup dhe një në Manastir, njofton policia dhe transmeton Tetova News.

Gjatë ditës së djeshme, në ora 20 e 30, në rrugën “Samoilova” të Shkupit, një person i panjohur ka kërcënuar me pistoletë të punësuarën në një dyqan të shitjes me pakicë dhe ka arrituar t`ia marrë xhiron ditore prej 13.730 denarë. Keqbërësi ka ikur në drejtim të panjohur.

Edhe një dyqan tjetër është vjedhur dje, rreth orës 20 e 55 në Orizaren e Epërme të Manastirit. Një person i panjohur me maskë dhe duke kërcënuar të punësuarit ka marrë 17 000 denarë dhe ia ka mbathur në drejtim të panjohur.

Rreth orës 22 e 25, në rrugën “Partizanska” të Manastirit, dy persona të maskuar, me pistoletë dhe thikë në dorë, kërcënojnë të punësuarën dhe ia marrin 15 000 denarë. Keqbërësit ikin në drejtim të panjohur.

E pësojnë edhe dy taksistë. Rreth orës 21 e 10 minuta, në rrugën “Ordan Çopella”, dy persona të panjohur kanë sulmuar taksistin. Ata e kërcënuan me pistoletë dhe ia morën rreth 5000 denarë, madje njëri prej tyre shkrepi një plumb jashtë makinës.

Në rastin tjetër, Ç. A. ka denoncuar se rreth orës 22 e 45, në Rrugën e Mendelejevit, dy persona të panjohur e kanë  hyrë në taksinë e tij “Ford Fokus”, me targa të Shkupit, kanë kërkuar që t`i çojë në një rrugicë tjetër. Kur arritën atje, ata e kërcënuan me pistoletë duke ia marrë 1500 denarë dhe dy telefona celularë. Edhe këta ikin në drejtim të panjohur.

Dje është denoncuar edhe një rast tjetër nga A.J. Rreth orës 19 e 45, në lagjen Shuto Orizare, në oborrin e Shkollës Fillore “Vëllezërit Ramiz dhe Hamid” , tre persona të panjohur me maska kanë sulmuar djalin e tij 17-vjeçar. Keqbërësit e kërcënojnë me thikë dhe ia marrin telefonin cellular.

Në mesnatë, rreth orës 01 e 21 minuta, në lagjen Fusha e Tophanës, në objektin e “AMSM”, dy persona të maskuar kanë sulmuar R. M, i punësuar në agjencinë e sigurimit të objektit. Keqbërësit ia marrin telefonin celularë dhe ikin në drejtim të panjohur.

Policia është në kërkim të keqbërësve dhe po punohet për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve.