May kërkon të vendosë rregull në qeveri

17.07.2017 20:34:26

Në Bruksel filloi një cikël i ri i negociatave mbi daljen nga BE-ja

Kryeministrja britanike, Theresa May do t’i kërkojë anëtarëve të qeverisë të qëndrojnë të përqendruar ndaj detyrave të tyre, deklaroi sot zëdhënësi i saj, pas informacioneve të dala në media që japin imazhin e një ekzekutivi të përçarë, kryesisht mbi Brexit.

Kryetarja konservatore pësoi një dobësim të konsiderueshëm të autoritetit të saj në legjislativet e 8 qershorit, ku ajo i humbi mazhorancën absolute në Parlament.

“Ministrat do të diskutojnë privatisht politikat e qeverisë dhe kryeministrja do t’ia ripërsërisë nesër kolegëve të saj gjatë këshillit të ministrave”, tha sot zëdhënësi i May.

“Ajo do t’i bëjë thirrje për më shumë përgjegjshmëri, duke theksuar se ministrat e qeverisë duhet të përqendrohen mbi vazhdimin e punës”, shtoi zëdhënësja, ndërkohë që sot në Bruksel filloi një cikël i ri i negociatave mbi daljen nga BE-ja.

Ditët e fundit, media britanike ka shfaqur luftën që një pjesë e ministrave po bëjnë për të zëvendësuar Theresa May, si dhe kritika që shënjestrojnë ministrin e Financave, Philip Hammond.