Mbaron autopsia e trupave në Shkup, trupi i Visar Begaj do të kthehet në Kosovë

09.09.2016 16:39:27

Ka mbaruar autopsia e gjashtë viktimave nga rrëzimi i avionit më 6 shtator në afërsi të Shkupit. Bazuar në raportin e Institutit për Mjekësi Ligjore në Shkup, asnjëri nga viktimat nuk ka pasur djegie në trup dhe se vdekja ka qenë momentale.

Nga Prokuroria Publike njoftojnë se ka filluar faza e identifikimit të trupave. Rreth shkaqeve të rrëzimit hetuesia thotë se është herët të flitet, por informon se nga vendi i ngjarjes janë tërhequr mbetjet dhe po vazhdojnë hetimet.

“Prokuroria Themelore e Shkupit i ka pranuar të gjitha lëndët e nevojshme dhe dëshmitë të cilat do të shërbejnë si prova për të vërtetuar arsyet e fatkeqësisë ajrore. Lënda është në procedurë dhe nevojitet kohë për të konstatuar shkaqet e rrëzimit të avionit”, thanë nga Prokuroria.

Gjatë ditës në Shkup arritën edhe familjarët e viktimave nga Italia. Të njëjtit i janë nënshtruar analizave të ADN-së, me qëllim identifikimin e të afërmve të tyre. Nga Ambasada e Kosovës në Shkup thonë se kanë bërë kërkesë që trupi i Visar Begaj të dërgohet në Kosovë.

 

“Ambasada ka ndërmjetësuar në mes familjarëve Begaj dhe Ambasadës italiane në Shkup dhe ka dërguar notë verbale pranë institucioneve të Maqedonisë për të shprehur dëshirën e familjarëve që trupi i pajetë i Visar Begaj të varroset në Kosovë”, deklaruan nga Ambasada e Kosovës në Shkup.

Ndërsa Ambasada e Italisë në Shkup konfirmoi se trupi i Visar Begajt do të kthehet në Kosovë.