Mbi 4 mijë të vdekur nga koronavirusi në SHBA

01.04.2020 08:26:40

Në Shtetet e Bashkuara, numri i viktimave nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka kaluar 4,000, ndërsa numri i të infektuarve është afro 190,000.

Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins në SHBA tregojnë se 4,076 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe zyrtarë të shëndetit publik paralajmërojnë se kjo shifër mund të arrijë deri në 240,000.

“Sado që është numër serioz, ne duhet të përgatitemi për të”, tha Anthony Fauci, ekspert i sëmundjeve infektive në SHBA.

Megjithatë, ai shtoi se masat parandaluese, të tilla si distancimi fizik, janë duke funksionuar dhe se autoritetet shpresojnë që numri i viktimave të mos rritet, nëse të gjithë e bëjnë pjesën e tyre për parandalimin e përhapjes së virusit.

Fauci foli përkrah presidentit amerikan, Donald Trump, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

“Dua që çdo amerikan të jetë i përgatitur për ditë të vështira. I kemi dy javë të ashpra përpara”, tha Trump, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në gjithë botën, mbi 850,000 njerëz janë infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 42,000 kanë vdekur.

Italia ka numrin më të madh të viktimave: mbi 12,400.

Qeveria amerikane është duke ndërtuar spitale të përkohshme pranë qyteteve të mëdha, për të lehtësuar ngarkesat e mjediseve të kujdesit shëndetësor.