“Mbi 60 mijë të vdekur deri në korrik”/ Paralajmërimi i frikshëm nga SHBA

13.04.2020 07:34:45

Eksperti më i lartë për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci, paralajmëroi të dielën se ekziston “një rrezik i jashtëzakonshëm” për përhapje të mëtejshme të koronavirusit nëse Shtetet e Bashkuara rihapen më shpejt se ç’duhet, më 1 maj, një mundësi që Presidenti Donald Trump po e konsideron.

Dr. Fauci i tha televizionit CNN, se rigjenerimi i tregtisë nuk do të bëhet “sa hap e mbyll sytë”, ndërsa vjen koha e përfundimit të afatit të rekomandimeve të qeverisë për distancim social, më 30 prill.

Ai tha se shpreson që “të paktën në një farë mase”, vendi t’i rikthehet punës dhe aktiviteteve të rutinës së përditshme muajin e ardhshëm, por shtoi se gjasat janë që të mos jetë njëlloj në zona të ndryshme të vendit.

“Do të varet nga numri i rasteve të koronavirusit në komunitete të veçanta dhe nëse testet do të tregojnë se shumica dërrmuese e popullsisë nuk është e infektuar.”

Megjithë marrjen e masave, tha ai “ne e dimë, që njerëzit do të infektohen. Ky është realiteti”.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në mbi 21,400, më i larti i çdo vendi të botës, me mbi 540 mijë të infektuar.

Sipas modeleve aktualë të parashikimeve, 60 mijë ose më shumë mund të vdesin në vend deri në korrik.

Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA janë afër pikut të pandemisë së koronavirusit të ri, por ekspertë të tjerë shprehen se pa një vaksinë ose një kurë të efektshme, rihapja plotësisht e ekonomisë mund të zgjasë më shumë nga sa do të dëshironte administrata e Presidentit Donald Trump.