Mbi 60 milionë euro i kthehen buxhetit të Kosovës

23.08.2016 16:05:15

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka vlerësuar lartë punën e bërë nga Përmbaruesit Privat, të cilët kanë filluar së funksionuari në vitin 2014.

Po atë vit, Hoxha kishte emëruar 20 përmbarues, të cilët sipas ministres, kryejnë punën me efikasitet dhe përgjegjësi.

Kjo, sipas raportit ku Hoxha ka vlerësuar punën e Përmbaruesit Privat, del që ata kanë arkëtuar mbi 60 milionë euro të hyra të cilat i janë kthyer Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate për media, thuhet se përkushtimi i Hoxhës për të ndihmuar këtë segment vërehet me mjetet e arkëtuara, ku nga 1 Janari deri me 1 Gusht 2016 janë mbledhur mbi 22 milion euro.

Në komunikatë sqarohet se në raportet e Bankës Botërore për të bërit biznes, sistemi i përmbarimit cilësohet si faktor kyç në rritjen e të hyrave.

“Në raportet e Bankës Botërore për të bërit biznes sistemi i përmbarimit është vlerësuar si indikator kyç në rritjen e të hyrave, poashtu në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, sistemi i përmbarimit ka rezultuar me uljen e kamatave si dhe ndihmën që u është dhënë institucioneve financiare, ku tanimë bankat komerciale kanë më pak vonesa me proceset gjyqësore me procedurë përmbarimore”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Hoxha ka theksuar përkushtimin dhe vendosmërinë e saj për të ndihmuar dhe përkrahur përmbaruesit në punën e tyre, punë kjo e cila ndikon në lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe ekzekutimin e lëndëve nëpër gjykata.