Mbi 700 biznese turke operojnë në Kosovë

19.10.2016 22:27:09

Ministrja e Tregtisë e Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka marrë pjesë në Forumin e Biznesit dhe Investimeve Turqi-Kosovë në Stamboll, ka zbuluar se janë mbi 700 firma turke që operojnë në Kosovë në sektorin e energjisë, të ndërtimtarisë, të shëndetësisë dhe atë financiar.

“Sipas një raporti të Bankës Botërore, Kosova ndodhet në vendin e 66 në mesin e 189 vendeve për sa i përket gatishmërisë për investime”, ka treguar Bajrami.

Ministrja e Tregtisë ka thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Turqisë, raporton AA.

“Dua të zotohem në emër të Qeverisë së Kosovës se dyert tona do të jenë gjithmonët ë hapura për ju për të zgjidhur çfarëdo problemi”, është shprehur Bajrami.

Nga ana tjetër, ministri Turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ka thënë se interesimi i kompanive turke në Kosovë do të rritet nga një marrëveshje për tregtinë e lirë ndërmjet vendeve.

Ai ka shtuar se Kosova ka rëndësi të madhe ekonomike për Turqinë.

“Ne jemi të gatshëm të japim gjithë mbështetjen tonë për Kosovën që ajo të marrë pjesë në panaire dhe ekspozita ndërkombëtare. Nuk duam një miqësi pasive”, ka thënë Zeybekci, transmeton Gazeta Express.

Ministri turk i Ekonomisë ka thënë se marrëveshjet tregtare ndërmjet dy vendeve nuk janë ideale, teksa eksportet e Turqisë në Kosovë kapën vlerën e rreth 250 milionë dollarëve më 2015, ndërsa eksportet e Kosovës në Turqi kapën vlerën e vetëm 9 milionë dollarëve.