Mbi dimensionin shpirtëror të krizës eksistenciale të popullit shumicë të Kosovës

09.03.2019 23:26:50

Nga Arsim Kastrati

Dimensioni moral dhe shpirtëror i krizës eksistenciale në Kosovë nuk ka të bëjë me ate se shqiptarët e saj para lufte nuk paskan guxuar ta valvisin flamurin kombëtar dhe tash po e teprojkan me këtë punë, por ka të bëjë me dy dilema tejet të rëndësishme kulturore dhe sociopsikologjike.
Dy dilemat kryesore të krizës shpirtërore dhe morale në Kosovë janë identitetare dhe kanë të bëjnë me ate se çka është primare, çka është më e rëndësishme për shumicën e popullit kosovar, a është primar kosovarizmi apo shqiptarizmi i tij dhe në anën tjetër a është më i rëndësishëm kombi apo feja.
Duhet të jemi realist dhe ta pranojmë faktin se në konstelacionin politiko kushtetues në të cilin ndodhet shteti i Kosovës tash e njëzet vjet, kanë dalë shenja dalluese të krijimit të një kombi të ri, atij kosovar.
Banorët shumicë të Kosovës para lufte nuk janë identifikuar dhe as i kanë identifikuar të tjerët ata si kosovarë por në të shumtën dhe në rend të parë si shqiptarë.
Pas lufte bashkësia ndërkombëtare mbase edhe për ta penguar bashkimin kombëtar të shqiptarëve e ka sforcuar krijimin e një identiteti të ri nacional në Kosovë bazuar në territorin e veçantë dhe veçoritë kulturore të popullit të saj.
Bazuar në këtë përkatësi territoriale dhe dallimet jo shumë të mëdha kulturore Shqiptarët e Shqipërisë ju kanë referuar dhe ju referohen, në një masë, sivëllezërve të tyre me fjalën kosovar, ashtu sikurse edhe ata vetvetes së tyre i thonë, në një masë, mbase edhe për tu dalluar nga Shqiptarët e Shqipërisë.
Ky fenomen po e vendos shqiptarin e Kosovës në një pozicion konflikti të mbrendshëm, mbrenda për mbrenda qenies së tijë shpirtërore dhe gjeografike.
Shqiptari i Kosovës sot është i hutuar, ai ka filluar ta pyes veten a jam unë më tepër shqiptar apo kosovar, çka më levërdis mua më shumë kosovarizmi apo shqiptarizmi?
Elementi i dytë i krizës identitetare ka të bëjë më faktin që një pjesë e shoqërisë kosovare tash e një kohë ka filluar ta identifikoj vetveten më tepër me fe se sa me kombin.
Edhe në këtë aspekt Shqiptari i Kosovës së para luftës identifikimin dhe deklarimin parësor të identitetit të vet e ka pasur përkatësinë e tij kombëtare, nuk e ka mohuar identitetin fetar, por primar e ka patur kombin.
Kjo ishte kështu për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar dhe sidomos në gjysmën e dytë të tij kur edhe ndodhën përparimet e mëdha në emancipimin kulturor dhe politik të popullit shqiptar të Kosovës.
Dikush do të thotë se s’kan çka të kërkojnë elementet identitare shtetëroro territoriale dhe fetare kundër elementit identitar kombëtar dhe se në sistemet demokratike gjithkush ka të drejtë të deklarohet ashtu si ndihet dhe si mendon se është e vërteta dhe e drejta e tij.
Por për një popull europian sikur që jemi ne, aspirata kryesore e të cilit është zhvillimi i tij kombëtar dhe integrimi euroatlantik idetë dhe lëvizjet e reja lidhur me identitetin e tij patjetër që do të sjellin rezistencë te shumica e pjestarëve të tij të cilët vazhdojnë ta përjetojnë dhe deklarojnë vetvetën e tyre në rend të parë si shqiptarë.
Idetë dhe lëvizjet të cilat tentojnë të bëjnë që Shqiptarët e Kosovës në rend të parë të deklarohen në baza fetare dhe shtetroro-territoriale e dobësojnë me ose pa dashje identitetin e tyre kombëtar dhe shkaktojnë mosdurim e potencialisht edhe konflikte në mes tyre.
Këto dilema janë gjithësesi edhe sfida të konsiderueshme dhe gjithkush i ka përgjigjet e veta por unë mendoj se ajo çka na ka bashkuar dhe na bashkon të gjithë shqipfolësve në Ballkan dhe çka na ka ndihmuar të korrim fitore si popull përgjatë historisë është përkatësia jonë e përbashkët etnikonacionale SHQIPTARE, të cilën do të duhej që ta ruajm edhe më tutje.
Nëse në të ardhmën e afërt nuk do të ndodhë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë atëherë në Kosovë do të mund të vazhdoj procesi i krijimit të kombit të ri, gjë që vetvetiu nuk presupozon mosmarrveshje dhe probleme ndërmjet vëllezërve në të ardhmën e tyre deri diku të ndarë.
Por një logjikë tjetër thotë që të bashkuar si një komb dhe si shtetas të një shteti të përbashkët më të madh dhe më të fuqishëm, shqiptarët do ta kenë më të sigurtë të ardhmën e tyre në Ballkan, Europë e më gjerë.

Këto dilema, këto sfida, nuk janë lehtë të kapërcyeshme andaj të shpresojmë se populli ynë i shumë vuajtur do ti përballoj ato me sukses, duke ditur të zgjedh rrugët më të mira për të tashmën dhe të ardhmën e tij!