Mbi një mijë veta humbën shansin të bëhen policë (Video)

03.10.2016 22:06:35

21 shtatori i vitit të kaluar ishte dita e fundit kur në qendrën e Vushtrrisë u pranuan kadetët e fundit në Policinë e Kosovës. Që nga ajo datë, u bënë më shumë se një vit kur në vend nuk është pranuar asnjë kadet në këtë institucion të sigurisë.

Aplikantët që kishin kaluar testin e pranueshmërisë për t’u bërë policë të ardhshëm, e që janë jo më pak se 1200, kanë mbetur pa i veshur uniformat, pasi koha kur do të mund të bënin këtë gjë ka skaduar me 1 tetor.

Ata kanë qenë në listë të pritjes tash e dy vjet.

Zafir Berisha, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë se politika ka futur duart edhe në Polici, gjë që po ndikon edhe në besueshmërinë ndaj këtij institucioni.