Mbrapa “çerdhes fetare” qëndron një shoqatë turke (Video)

21.07.2017 22:51:19
Në çerdhen “Bleta” fëmijët edukohen në frymë fetare që nga mosha 3 vjeçare. Në fotot dhe videot e publikuara në Facebook shihen fëmijë teksa i kryejnë ritet fetare.

Gazeta ka zbuluar se në këtë kopsht mund të regjistrohen vetëm fëmijët e prindërve të cilët pajtohen që fëmijët e tyre të edukohen në frymën islame.

Ndërkohë, sot gjatë ditës institucionet e Maqedonisë kanë arritur që të gjejnë këtë çerdhe të improvizuar, që ishte kamufluar nën ombrellën e një shoqate humanitare me prejardhje turke.

“Në Komunën e Çairit u gjet një shtëpi private e adaptuar si hapësirë mësimore me pajisje të nevojshme për këtë qëllim, ku u gjetën 20 fëmijë të moshës 6 deri 11 vjeç dhe dy mësuese”, i ka thënë Gazetës JnK, zëdhënësja e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale në Maqedoni, Zhaklina Veliçkovska.

Tutje ajo ka thënë se kanë gjetur fakte, por edhe kanë marrë konfirmim nga mësueset dhe fëmijët se aty ofrohen mësime fetare.

“Gjatë këtij inspektimi edhe fëmijët, po edhe mësueset e tyre kanë konfirmuar që aty zhvillohet mësim i riteve fetare (lutjeve, gjunjëzimit dhe mësimit nga libra fetarë) nga ora 11:00 deri në orën 16:00, çdo ditë pune”, tha ajo për Gazetën JnK.

Gazeta JnK gjatë ditës së enjte ka arritur të kontaktojë me përfaqësuesen e këtij kopshti përmes numrit zyrtar të postuar në profilin e tyre në Facebook.

Ajo ka treguar edhe për emrin e pronares, që sipas emrit del të jetë shqiptare.

Por, në përgjigjen që Gazeta ka pranuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Punës së Maqedonisë thuhet se kopshti është në pronësi të një shoqate.

“Kur inspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës kërkoi dokumentet e punës së [kësaj shtëpie të adaptuar në shkollë] atij iu tha se dokumentacionin e tërësishëm e ka pronari i Shoqatës Humanitare “Mustafa Pasha”, i cili është shtetas turk”, thuhet në përgjigje e zëdhënës së MPPS të Maqedonisë.

Madje, ky nuk është kopshti i vetëm që ofron mësime të fesë islame në Maqedoni.

“Sipas fjalëve të mësueses, kjo organizatë humanitare kishte edhe objekte tjera të karakterit të njëjtë edukativo-arsimor, por ajo nuk e dinte se ku ndodhen ato objekte”, tha zëdhënësja e MPPS së Maqedonisë.

Përfaqësuesja e kësaj çerdheje, e cila nuk është prezantuar, ka dhënë detaje të tjera për Gazetën Jnk. Në qytetin e Shkupit, komuna Çair në kopshtin “Bleta” mund të regjistrohen fëmija që nga mosha 3 vjeçare për një shumë prej 50 euro për një muaj.

Ajo ka treguar për plan-programin e këtij kopshti.

“Brenda javës kanë edhe mësim-besim. Por edhe orë të fiskulturës e argëtimit. Mësim-besim mbahet ditëve të premte, çdo javë nga ora 10 deri në 12”, tha ajo për Gazetën.

Në video të shpërndara në faqen e këtij kopshti në Facebook, shihen fëmijë (vajza të mbuluara dhe djem të veshur me pelerina të bardha) që sillen rreth një kubi, i cili simbolizon Qabenë.

E pyetur nëse një prind nuk dëshiron ta edukojw fëmijën e tij në frymë fetare, a mund ta dërgojw në atë kopsht, përfaqësuesja tha se “jo nuk mundet kështu, ne jemi kopsht fetar”.

Ndërkohë në fotot dhe videot e publikuara në faqen e këtij kopshti në Facebook, shihet se në gjeneratën e tretë të këtij kopshti, dy edukatoret janë të mbuluara, njëra e mbuluar komplet ku i shihen vetëm sytë (nikab).

Ministria e Punës dhe Politikave Sociale ka bërë vizita në tri çerdhe në lagjet shqiptare të Shkupit. Inspektimi është kryer nga Inspektorët e Departamentit për Inspektim dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Punës.

“Mbikëqyrja është bërë pas alarmit për një institut parashkollor për fëmijë për të cilin ministria nuk ka nxjerrë vendim adekuat dhe për të cilin në mediumet elektronike u paraqitën fotografi me përmbajtje religjioze [të përdorur] për kujdesin ndaj fëmijëve dhe edukimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Zhaklina Veliçkovska, drejtuese e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale në Maqedoni.

Në dy lokacione tjera të kontrolluara zëdhënësja Veliçkovska tha se nuk është gjetur ndonjë institucion për fëmijë dhe nuk ka pasur shenja të dukshme se aty zhvillohet veprimtaria e përkujdesjes ndaj fëmijëve.

“Për sigurinë e fëmijëve kujdesi ndaj të cilëve zhvillohet në kundërshtim me ligjin nga e ashtuquajtura organizatë humanitare, Ministria për Punë dhe Çështje Sociale për atë që pa do t’i informojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Arsimit dhe Shkencës me kërkesë që në kuadër të kompetencave të tyre të shqyrtojnë arsyeshmërinë, karakterin dhe qëllimet e organizatës humanitare”, tha zëdhënësja Veliçkovska.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit në Maqedoni, për të marrë një qëndrim nga ta, por nuk ka arritur të marrw përgjigje.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Qytetin e Shkupit, por ata kanë thënë se nuk kanë kompetenca për dhënien e lejeve të punës dhe ndjekjen e aktiviteteve në kopshtet e fëmijëve, ngase komunat e këtij qyteti kanë kompetenca autonome.

Qyteti i Shkupit është njësi e veçantë administrative e Maqedonisë, e cila përbëhet nga 10 komuna.

“Për kopshtet shtetërore si dhe ato private kompetente është Ministria për Punë dhe Politikë Sociale si dhe Komunat në Qytetin e Shkupit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa Komuna e Çairit, në të cilën gjendet ky kopsht, ka thënë se nuk është kompetente për licencimin e kopshteve për fëmijë.

“Procedura e licencimit realizohet nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, prandaj ju lutemi që pyetjen tuaj për rastin e potencuar ta drejtoni në ministrinë përkatëse, e cila ka evidencën zyrtare të kopshteve publike dhe private për fëmijë dhe kompetencën e plotë ligjore për reagim në rast të mosrespektimit eventual të normave ligjore”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Sibel Halimi, sociologe, thotë se fëmijët që shihen në foto duhet t`i mësojnë 7 ngjyrat dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre psiko-motorike dhe jo t’i nënshtrohen ideologjizimit nga edukatore me nikab.

“Përtej kurrikulës religjioze, shqetësues është fakti se shumica e fëmijëve mbajnë emra arabw. Pra, gjithçka ka nisur që më lindje”, shkruan ajo.

Tutje Halimi thotë se paqartësia religjioze e shqiptarëve ka prodhuar probleme serioze me etninë në përgjithësi.

“Çfarë ju duhet këtyre kalamajve, indoktrinimi me fe?! Arsyetimi i mundshëm se kjo është çerdhe private është i paqëndrueshëm, sepse edhe kjo sikurse ato publiket i nënshtrohet ligjit të njëjtë- atij për institucionet parashkollore. Në shtete që nominalisht janë të përkufizuara si joreligjioze, ky pretendim bie ndesh jo vetëm me kushtetutshmërinë, por edhe me kohezionin shoqëror në të cilin janë formësuar në përgjithësi shoqëritë në këtë cep të Ballkanit”, thotë ajo.

Halimi shprehet se kështu nis qarku ideologjik, ku si fëmijë, mësojnë parimet kryesore të islamit, pastaj kur i bëjnë 12-13 vjet, fillojnë të mbulohen, kur i bëjnë 18, radikalizohen e kur radikalizohen pastaj e mohojnë përkatësinë dhe të tjerët dhe tjetri është i rrezikshëm, i huaj dhe armik.