Kryeministrja britanike Theresa May ka gjasa të nisë procesin formal të largimit nga Bashkimi Europian në fillim të vitit të ardhshëm.
Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, sipas të cilit bisedimet për daljen nga Unioni mund të nisin në shkurt 2017.
Zyra e zonjës May ka deklaruar ndërkohë se procesi nuk do të nisë këtë vit, por nga ana tjetër nuk ka konfirmuar deklaratat e zotit Tusk.
Negociatat zyrtare nuk mund të nisin derisa Mbretëria e Bashkuar të zbatojë Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që përbën dhe mekanizmin formal të daljes nga BE-ja.
Periudha e largimit të Britanisë nga blloku i përbashkët europian deri tani ka qenë e paqartë, me qeverinë e zonjës May që nuk ka ofruar të dhëna të sakta.
Gjithashtu ka konfuzion sa i takon marrëdhënieve që Mbretëria do të ruajë me Unionin dhe nëse ajo ka ndërmend të mbetet pjesëtare e tregut të përbashkët.
Zoti Tusk foli nga kryeqyteti i Sllovakisë, Bratisllavë, ku liderët europianë janë mbledhur për një samit informal, pa praninë e Britanisë.
Duke folur për një takim të zhvilluar me zonjën May, Tusk tha se: “Kryeministrja britanike u tregua shumë e sinqertë”.
“Ajo tha se është thuajse e pamundur që të zbatohet neni 50 këtë vit, por ka gjasa që procesi të nisë janarin ose shkurtin e vitit tjetër”, citoi Tusk kryeministren May.