Mbrojti Kosovën, Vuçiç sulmon ambasadorin e SHBA në Beograd: O njeri…

27.03.2019 18:26:54

Në Serbi nuk është pritur aspak mirë deklarata e ambasadorit të SHBA në Beograd, Kyle Scott, i cili tha dje duke iu referuar Serbisë dhe Kosovës, se “të dyja palët janë fajtore për situatën e krijuar rreth dialogut”.

Scott gjithashtu i tha ministrit të Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç se “mjaft e kanë fajësuar vetëm Prishtinën”.

“Mendoj se nuk është shumë ndihmuese që të fajësohet vetëm njëra palë, ka shumë faje nga të dyja palët por sidoqoftë, zgjidhja nuk është fajësimi i tjetrit, por rikthimi në tavolinën e dialogut. Ky është edhe qëllimi i SHBA-së dhe BE-së, dhe ne inkurajojmë të dyja palët ta marrin këtë drejtim”, ka thënë Scott.

Kjo marrje në mbrojtje e Kosovës, i ka lënë shije të hidhur veçanërisht Presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur se është i befasuar me deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd.

“Jam i befasuar me deklaratën e Scott. Ndalu o njeri! Ata po thonë se po fajësojmë fajtorin. Na tregoni ju lutem pra se cili qenka faji ynë”, ka thënë Vuçiç.

Sipas tij, “Serbia nuk po bën asgjë kundër Prishtinës”.

Ndërkohë, Stefanoviç thotë se nuk do të dëshironte ta zhvillonte në këtë mënyrë bisedën më ambasadorin amerikan, por ka theksuar se SHBA dhe Serbia ndajnë pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën.

“Ajo që bën Serbia vazhdimisht është se mundohet të pyes se çka po bëjmë ne dhe çka po bën pala tjetër. Është dërguar një letër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u pezulluar taksa por pas kësaj, nuk ka ndodhur asgjë”, është shprehur ai.